Buxheti rus do të qëndrojë, do të rezistojë, bile edhe në qoftë se çmimi i naftës do të bjerë deri në 60 $ për fuçi. Me një deklaratë të tillë doli i emëruari i përkohshëm me detyrën e Ministrit të Financave të Rusisë Anton Siluanov. Sipas fjalëve të tij, me ato burime ekonomike që ka akumuluar vendi për 3 vitet e fundit, për të nuk është aspak e frikshme përsëritja e krizës globale.

Në buxhetin tre-vjeçar të Rusisë është parashikuar çmimi i naftës nga 93-100 $ për fuçi. Me ruajtjen e këtij treguesi bëhet i mundshëm plotësimi mjeteve financiare të Fondit të Rezervave dhe garantimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike. Megjithatë, autoritetet ruse kanë përpunuar paralelisht edhe planin e shpërndarjes së burimeve në rast se çmimet do të bien. Ekspertët e vlerësojnë si premtues këtë plan anti-krizë. Ja mendimi i Drejtorit të Departamentit të tregjeve financiare të Kompanisë Investuese “Grandis-Capital” Mihaill Kozakov:

-  Aktualisht shkakton shqetësim ngadalësimi i përgjithshëm i ritmeve të rritjes së ekonomisë globale. Nëse ky proces do të vazhdojë, atëhere niveli i konsumit të naftës dhe metaleve do të reduktohet, kurse këto janë burimet kryesore të të ardhurave të buxhetit rus dhe ndërmarrjeve ruse. Në qoftë se do të gjejnë mishërim në jetë druajtjet më të këqia dhe Kina e SHBA do të fillojnë të shkurtojnë importet e burimeve, atëhere kjo do të godasë në mënyrë të drejtpërdrejtë Rusinë.

Ndërkohë, ekonomia ruse varet jo vetëm nga çmimet e naftës, por edhe nga investimet e huaja. Nëse çmimet e lëndës së parë do të vazhdojnë të bien, atëhere pikërisht për llogari të kapitalit të huaj do të bëhet i mundur sigurimi i stabilitetit, vë në dukje Drejtori i Departamentit analitik të Kompanisë Investuese “Nord-Capital” Vladimir Rozhankovskij:

- Formula e ekonomisë sonë është e tillë: nafta plus investimet e huaja, të ashtuquajturat FDI (Foreign Direct Investment - Investimet e Huaja Direkte). Sipas raporteve të fundit, tani u arrit të ndalohet rrjedhja e tyre nga vendi. Dhe në botë aktualisht po shfaqet interes i gjallë ndaj kompanive ruse. Për këtë dëshmon, për shembull, blerja e paradokohshme e kompanisë ruse “Kalina” nga korporata “Unilever”. Para kësaj u lidh një marrëveshje nga “Pepsi” për “Wimm-Bill-Dann”. Prandaj konfirmimi, se Rusia nuk është atraktive për biznesin e huaj, nuk është aspak i vërtetë. Rusia ka edhe një letër tjetër të fortë në dorë: aktualisht ajo ndodhet larg problemeve të borxheve, me të cilat po përballen tani ekonomitë më të mëdha botërore. Dhe kjo kuptohet për mrekulli nga investitorët e huaj.

0Pavarësisht nga kjo, Rusia mbetet megjithatë fort e varur nga situata në ekonominë globale. Dhe rrugëdalja për të është vetëm një: asaj i duhet të çlirohet medoemos prej varësisë nga lëndët e para dhe të zhvillojë sektorin jo të lëndëve të para të ekonomisë. Sipas fjalëve të Ndihmësit të presidentit të Rusisë Arkadi Dvorkoviç, ritmet e rritjes në këtë segment tashmë janë bërë stabile.

Maria Vesnovskaja