Raketëmbajtëset më të sigurta në botë “Sojuz” do të duhet të përvetësojnë platformën e katërt të lëshimit, e cila po ndërtohet në kozmodromin “Vostoçnij” (“Lindor”) në rajonin Amursk. Starti i parë i papilotuar është planifikuar nga ky kozmodrom në vitin 2015, ndërsa starti i pilotuar në vitin 2018. Në realizimin e projektit të kozmodromit është përfshirë mjaft aktivisht ndërmarrja “CSKB-Progress” në qytetin Samara, e cila merret me konstruktimin e raketave të tilla.

Raketëmbajtësja e parë “Sojuz” u konstruktua në vitin 1966. Ndërsa lëshimet e “Sojuz-ve” filluan të realizohen nga kozmodromi “Bajkonur”, platforma më e vjetër e periudhës sovjetike. Tani Rusia ia merr atë me qira Kazakistanit. Raketëmbajtëse të tilla janë lëshuar tashmë edhe nga “Plesetsk” - kozmodromi në rajonin rus Arkhangelsk. Ndërsa që nga vjeshta e këtij viti gjeografia e lëshimit të raketëmbajtëseve “Sojuz” përfshin edhe hemisferën Jugore. Në tetor nga platforma “Kourou” në Guiana Franceze raketëmbajtësja “Sojuz” nxorri në orbitë 2 satelitë të sistemit evropian të navigacionit “Galileo”.

Platforma në “Kourou” është shumë e përshtatshme për vetë faktin se ndodhet pothuajse në Ekuator. Raketëmbajtëset që startojnë nga ajo fitojnë shpejtësi suplementare. Kjo u lejon po atyre “Sojuz-ve” që të nxjerrin në orbitë një herë e gjysmë më shumë pesha se sa nga kozmodromi “Bajkonur”.

Kur të fillojë të veprojë kozmodromi “Vostoçnij”, raketëmbajtëse do të nevojitet akoma dhe më shumë, sepse ato do të lëshohen njëherazi nga 4 kozmodrome. Drejtori i përgjithshëm i “CSKB-Progress” në qytetin Samara Aleksandër Kirilin nuk ka asnjë dyshim se ndërmarrja do të arrijë t’ia dalë punës mbanë me këtë ngarkesë:

- Ne po përgatisim tani skemën e prodhimit serik të raketëmbajtëses “Sojuz-2”. Dhe kemi shtuar si detyrë përpara vetes që të arrijmë prodhimit e 20-22 raketëmbajtëseve të tilla në vit, të cilat do të jenë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e 4 platformave të sipërpërmendura të lëshimit.

0Aktualisht janë në rritje kërkesat për aparate kozmike të klasës së lehtë. Lëshimet e tyre janë me kosto më të ulët, ndërkohë që ato janë të afta të plotësojnë një spektër po aq të gjerë detyrash si dhe aparatet e klasës së rëndë. Ndërmarrja e qytetit Samara u tregua e gatshme për t’iu përgjigjur kësaj tendece dhe konstruktoi një model të ri raketëmbajtëse të klasës së lehtë. Kjo është “Sojuz-2-1V”. Deri në fund të vitit do të përfundojnë testet e fluturimit të saj, ndërsa fluturimi i parë është planifikuar për në prill të vitit 2012. Nuk ka asnjë dyshim se përdorimit të këtyre raketëmbajtëseve do ti hapet një rrugë e gjerë në të ardhmen. Nga 1779 lëshimet e realizuara për gjithë historinë e tyre 77 dolën të pasuksesshme. Përkatësisht këtij treguesi raketëmbajtësja “Sojuz” është më e mirë se çdo homologe tjetër.

Boris Pavlishiev