Bashkimi Evropian është i gatshëm të vendosë sanksione të reja të ashpra kundër Iranit. Në rast se ato do të miratohen, parashikohet që BE-ja të ndalojë blerjen e naftës iraniane dhe të ngrijë asetet në vendet e huaja të Bankës Qendrore të Iranit.

Autore e projekt-ligjit të sanksioneve të reja siriane është Franca. Supozohet që ai të diskutohet në mbledhjet e qeverisë evropiane të 1 dhe 8 dhjetorit. Duhet vënë në dukje se kësaj jave sanksione analogjike kundër Iranit vendosën SHBA, Kanadaja dhe Britania e Madhe. Ato nuk importojnë gjithashtu më naftë nga Irani, kurse bankave të tyre u është ndaluar çdo lloj bashkëpunimi me sektorin financiar të Iranit. Arsyeja për vendosjen e sanksioneve dhe pakënaqësinë në rritje të komunitetit botëror mbetet e njëjtë - programi bërthamor i Iranit, i cili, sipas sigurimeve të Teheranit, është  me karakter paqësor, kurse sipas mendimit të gjithë të tjerëve - ushtarak.

Por konfrontimi midis vendeve perëndimore dhe Iranit ka filluar që prej kohësh, duhet thënë. Sanksionet e para kundër Iranit u vendosën nga OKB-ja në vitin 2006. Që atëhere po vjen rritja dhe zgjerimi gradual i tyre, që kufizon gjithnjë e më shumë aktivitetin ndërkombëtar të këtij vendi. Vërtetë, ndikim serioz mbi Iranin ato kanë filluar të ushtrojnë vetëm tani, gjë kjo që pranohet bile dhe nga vetë udhëheqja e lartë e tij, thekson eksperti orientalist rus Vladimir Ahmetov:

- Sipas vërejtjes së bërë jo shumë kohë më parë nga Presidenti i Iranit Mahmoud Ahmadinexhad sanksionet po veprojnë. Ndërsa Irani vazhdon të ndjekë i qetë politikën e vet dhe po kërkon të arrijë qëllimin e tij kryesor - ndërtimin e reaktorit bërthamor për qëllime paqësore. Por, aktualisht, për shkak të rrethanave të brendshme të disfavorshme në vetë Iran dhe situatën e jashtme të krijuar rreth tij, vendi është i prekshëm, i cënueshëm si kurrë ndonjëherë më parë nga sanksionet ekonomike të këtij lloji, veçanërisht nga ana e vendeve perëndimore. Kjo mund të minojë seriozisht sistemin financiar të Iranit dhe të ndërlikojë operacionet në sferën e tregtisë së jashtme. Kundër vendosjes së sanksioneve akoma dhe më të ashpra dhe rritjes së presionit ndaj Iranit dalin Rusia dhe Kina. Në të njëjtën mënyrë këto dy vende po bllokojnë edhe rezolutën e OKB-së kundër Sirisë, e cila parashikon gjithashtu masa të rënda presioni. Rusia dhe Kina shprehen në favor të zgjidhjes me mjete diplomatike të këtyre problemeve. Dhe nuk përjashtohet aspak që BE-ja dhe SHBA ti vënë ato përpara zgjedhjes: Siria apo Irani, me qëllim që të arrijnë miratimin e sanksioneve të ashpra të paktën për një nga këto vende.

0Megjithatë, sanksionet e rrepta ekonomike, të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Kanadaja, si dhe ato të propozuara tani nga BE-ja, nuk janë e keqja më e madhe për këtë vend. Një skenar maksimalisht radikal ka përgatitur Izraeli, i cili deklaroi se është i gatshëm për të dhënë goditje ushtarake mbi Iranin. Zëdhënësi i MPJ të Rusisë Aleksandër Llukasheviç e quajti këtë skenar “një gabim shumë serioz, i cili është i mbarsur jo vetëm me pasoja të rënda rajonale, por dhe globale”.

Maria Vesnovskaja