Kriza, e cila vihet re aktualisht në mediat bashkëkohore, kërkon gjeten e formateve të reja për ekzistencën e tyre. Në një konkluzion të tillë arritën pjesëmarrësit e Forumit të mediave evropiane dhe aziatike, që po zhvillohet në këto ditë në kryeqytetin e Kazakistanit - Astana. Në këtë takim marrin pjesë më shumë se 250 përfaqësues të mediave masive të vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP ose CIS), shteteve Balltike, Gjeorgjisë dhe vendeve të huaja të largëta.

Mediat tradicionale, sipas mendimit të pjesëmarrësve të Forumit, e shterruan tashmë potencialin e vet. Në mënyrë që të ruhet formati i gazetarisë profesionale informative ia vlen të mendohet për ndryshimin e formave të paraqitjes së materialeve. E ardhmja u takon atyre mediave që mund të kombinojnë formatin e zakonshëm, të njohur tradicional me zhvillimin e teknologjive të reja, shpjegoi në intervistën dhënë për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, amerikani Jim Bumella.

- Kriza e gazetarisë ka përfshirë aktualisht të gjitha vendet e botës. Misioni dhe  funksionet e mediave aktualisht kanë ndryshuar dukshëm. Ato duhet të jenë të lidhura më ngushtë me auditorin e vet dhe t’i përgjigjen kërkesave dhe nevojave të tij. Me zhvillimin e teknologjive të reja, të tilla si Interneti, mediat duhet të përfshijnë në mënyrë më aktive këtë platformë dhe të dislokojnë pikërisht atje fushën e aktivitetit të vet me mjete nga më të ndryshmet, qofshin këto blogs, video, audio si dhe po ai tekst. Mediat bashkëkohore duhet të jenë në gjendje të ndryshojnë shpejt. Sepse vetëm kështu ato do të mund ti ruajnë të ardhmen    vetes.

Cilatdo qofshin mediat në të ardhmen - tradicionale apo synuese për përdorimin e risive më të fundit teknologjike - ato nuk duhet të lenë në harresë gjënë më kryesore, dhe pikërisht, përgjegjësinë që u është ngarkuar atyre jo vetëm nga ana e publikut kombëtar, por dhe komunitetit ndërkombëtar, mendon Kryetari i Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Andrei Bistrickij:

- Në epokën e globalizimit dhe konvergjencës së mediave të ndryshme ne jemi praktikisht transkufitarë. Çfarë kufijsh mund të ekzistojnë në Internet? Prandaj ne jemi përgjegjës përpara auditorit ndërkombëtar. Dhe çdo media me siguri duhet ta kuptojë se ajo punon në interes të auditorit, që përtej në kuadrit të kufijve kombëtarë. Pikërisht një perceptim i tillë i përgjegjësisë lind biznesin dhe rentabilitetin e mediave tona. Baza e biznesit tonë është aftësia për të tërhequr, për të bërë për vete një auditor besnik. Ndërsa të kuptuarit e përmasave të auditorit dhe përgjegjësisë përpara tij krijojnë bazën e fortë, solide për ta bërë punën e mediave profitabile dhe të tillë që të mbulojë shpenzimet.

0“Baza e suksesit qëndron gjithashtu edhe në të kuptuarit e botës në të cilën ne jetojmë”, - vazhdon më tej Andrei Bistrickij. - Sot këto dije janë jashtëzakonisht fragmentare dhe të shkëputura. Dhe vetëm kombinimi i njohurive dhe përgjegjësisë mund të sigurojë një ekzistencë të denjë dhe zhvillimin e mjeteve të informimit masiv”.

Milena Faustova