SHBA, me qëllim që të arrijnë në marrëveshje me Rusinë në lidhje me mbrojtjen evropiane antiraket, janë të gatshme ti ofrojnë asaj informacionin mbi raketat e veta interceptore. Sipas llogarive të Uashingtonit, kjo do të ndihmojë për të bindur Rusinë se sistemi i mbrojtjes antiraket (MAR) nuk përbën kurrfarë rreziku kërcënues për të. Ndërsa ekspertët i përmbahen mendimit se lëshime të tilla do të jenë të pamjaftueshme. Bile më tepër se kaq, një pjesë e kongresmenëve amerikanë nuk do ta lejojë Barack Obama të ndërmarrë këtë hap.  

Mundësia e përcjelljes Moskës të informacionit që ka të bëjë me raketat SM-3 u diskutua me autoritetet ruse në tetor nga Nënsekretarja Amerikane e Shtetit Ellen Tauscher. Ajo njoftoi se Rusia do të marrë informacionin në lidhje me shpejtësinë e raketës interceptore pasi ajo të konsumojë gjithë karburantin. Por karakteristikat teknike të raketave të tilla nuk janë e vetmja gjë e thënë përgjysmë që ekziston midis SHBA dhe Rusisë në dialogun për mbrojtjen evropiane antiraket. Për shembull, SHBA, si dhe më parë, i përgjigjen në mënyrë të paqartë, të vagëlluar pyetjes se nga kush do ta mbrojë Evropën ky sistem, që, në fakt, nënkupton se kundër kujt drejtohet ai.

Por nuk është e thënë aspak që bile dhe kjo iniciativë do të gjejë zbatim praktik. Republikanët tashmë e akuzuan administratën e Barack Obama për zhvillim të negociatave sekrete me Moskën, rezultati i të cilave mund të kërcënojë sigurinë kombëtare të SHBA. Ata nuk i zenë besë Rusisë dhe mendojnë se ajo, thjesht, përpiqet të marrë informacionin mbi planet ushtarake të vendit të tyre, me qëllim që ta shfrytëzojë atë më pas në avantazh të interesave të veta. Por në këtë rast është me vend të kujtohet se në Amerikë ka filluar tashmë përgatitja intensive për zgjedhjet presidenciale, kurse marrëdhëniet me Rusinë shpesh herë përdoren si monedhë këmbimi në politikën e brendshme amerikane, thotë Këshilltari i Akademisë së Shkencave të Rusisë, analisti politik Vilen Ivanov:

- Kjo nismë e demokratëve është një lëvizje teknologjike politike, që në kushtet e garës paraelektorale nuk është gjë tjetër veçse përpjekje e zakonshme për të ndikuar në mentalitetin e elektoratit, për të demonstruar paqedashjen e vet përpara zgjedhësve amerikanë, meqenëse askush nuk dëshiron luftën dhe konfliktin.

0Në çdo rast Rusia tashmë ka deklaruar se nuk do të rrijë ashtu duarkryq, ndërkohë që SHBA po punojnë aktivisht për zhvillimin e sistemit evropian të mbrojtjes antiraket. Presidenti Medvediev u shpreh se veprimet e përgjigjes të Rusisë “do të jenë të arsyeshme, të mjaftueshme dhe të tilla që nuk mbyllin rrugën me qëllim të vazhdimit të diskutimit të situatës rreth mbrojtjes evropiane antiraket me partnerët tanë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”. Njëkohësisht ai shtoi se Moska vazhdon të provojë shqetësim në lidhje me faktin se sistemi i MAR, që propozojnë SHBA, “është i aftë të ndryshojë në mënyrë të qenësishme sistemin e barazisë (paritetit)”, ndërsa kjo mund të krijojë probleme të caktuara për Rusinë. Duke u nisur nga kjo disa ekspertë nxjerrin përfundimin se në muajt e afërt nuk do të arrihen kurrfarë marrëveshjesh për mbrojtjen antiraket.

Maria Vesnovskaja