Epopeja 18-vjeçare e pranimit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë është fare afër përfundimit të vet. Të premten e kaluar (më 18 nëntor) u miratua përfundimisht paketa e dokumenteve në bazë të rezultateve të bisedimeve ruso-gjeorgjiane për anëtarësimin e Federatës Ruse në këtë Organizatë. Me këtë u eliminuan pengesat e fundit për ta hedhur çështjen në votim.

Pritet që në konferencën ministrore të Organizatës Botërore të Tregtisë të aprovohet pranimi i Rusisë në Organizatë tashmë që më 15-17 dhjetor, ndërsa aty nga mesi i vitit 2012 anëtarësimi faktik i saj në OBT. Çfarë do të ndryshojë për popullsinë hyrja e Rusisë në OBT? Në lidhje me këtë shprehin mendimin e vet ekspertë të ndryshëm.

Gjëja e parë, që do të ndjejnë rusët pas kësaj, do të jetë rënia e çmimeve të mallrave, shprehet Drejtuesi i Qendrës për Studime Ndërkombëtare të Institutit të Ekonomisë të Akademisë së Shkencave të Rusisë Leonid Vardomskij:

- Ne kemi taksa shumë të larta importi për një numër të qenësishëm mallrash, sidomos për ato mallra, të cilat ne do të dëshironim ti prodhonim vetë. Prandaj do të duhet të ulen çmimet e tyre. Periudha e tranzicionit është parashikuar, por edhe ajo do të përfundojë. Dhe atëhere mallrat më të lira të importit do të hyjnë pa kurrfarë pengese në tregun rus. Çmimet e mallrave mund të reduktohen me 15-20%.

Do të bëhen më të lira, para së gjithash, perimet, frutat, arrat, që nuk rriten në Rusi. Shtesa maksimale doganore e çmimit për medikamentet e prodhuara jashtë shtetit nga 15% që është sot do të bjerë në 6.5%. Do të ulen në mënyrë të konsiderueshme çmimet e verërave dhe birrës.

Normat e pajisjeve elektrike shtëpiake dhe atyre elektronike do të bien nga 15% deri në 7%. Taksat doganore për kompjuterat, mjetet e prodhimit dhe elementet bazë të tyre do të shfuqizohen plotësisht, njoftoi Kryetari i delegacionit rus në negociatat për anëtarësimin e Rusisë në OBT Maksim Medvedkov.

Për ndryshimin e normave tarifore Rusisë i janë dhënë 3 vjet kohë. Ndërsa për disa nga pozicionet më të ndjeshme të periudhës tranzitore mund të duhen edhe 7 vjet. Megjithatë një sërë degësh të industrisë i presin tronditje serioze. Në veçanti, Ministri rus i Industrisë Viktor Hristenko (Khristenko) pranoi, se për industrinë e prodhimit të automobilave dhe atë të makinerive bujqësore përfshirja e tregut rus në hapësirën tregtare botërore do të jetë shumë e dhimbshme.

Disa të tjerë i shqetëson fakti se rryma e prodhimeve të lira bujqësore, që do të vërshojë nga jashtë, do të mbysë filizat e industrisë agrare vendase. Pa mbështetjen nga ana e shtetit ne nuk do të mund të konkurrojmë dot me prodhuesit e huaj, shprehen me panik njëzëri fermerët. Por OBT nuk e pengon aspak shtetin që të ndihmojë degë të veçanta të industrisë. I gjithë problemi konsiston në mënyrën e dhënies së kësaj ndihme, saktëson Nënkryetari i i Bashkimit rus të prodhuesve të drithërave Aleksandër Korbut.

0Në të njëjtën kohë nga anëtarësimi i Rusisë në OBT do të përfitojnë të gjithë rusët. Dhe jo vetëm sepse do të kenë me bollëk në dyqane produkte të lira dhe me aftësi konkurruese. Por dhe për vetë faktin se do të kenë mundësi të përdorin infrastrukturën që do të krijohet për të mbështetur prodhuesit vendorë.

Natalia Kovalenko