Rostov i Madh (Rostov Veliky), pa ekzagjerim, mund të quhet një nga qytetet më interesante të moçme ruse.

Në kronikën e shekullit të IX për Rostovin flitet si për një qytet “ekzistues që prej shumë kohësh”. Por me të vërtetë i “Madh” ai u bë në shekullin XI, kur fitoi titullin e qytetit qendror të Rusisë Veri-Lindore. Në të njëjtën kohë ai shndërrohet edhe në qendër të Eparkisë (dioqezës) së Rostovit. Në fillim të shekullit të XIII krijohet Principata e pavarur e Rostovit, e cila shumë shpejt u bë një nga qendrat kryesore politike dhe fetare të tokës Ruse. Klerikët lokalë ishin ndër sundimtarët më me ndikim kishtar.

Një nga objektet kryesore më interesante të qytetit është Kremlini gurëbardhë i Rostovit.

Aktualisht ai është kthyer në muze. Kremlini i Rostovit është shumë i bukur, i stolisur me hijeshi dhe elegancë dhe i ruajtur mjaft mirë deri në ditët tona. Ai, në përgjithësi, të kujton më tepër ilustrimet e mrekullueshme të përrallave ruse. Në qendër të kompozicionit, në një zonë jo të madhe të Kremlinit, ndodhet një liqen i vogël artificial. Pranë tij ngrihet Kisha e Shën Gjon Ungjilltari (Церковь Иоанна Богослова) dhе Pallati Krasnaja (në gjuhën e vjetër ruse ka kuptimin “e bukur”). Ai paraqet në vetvete një godinë dy-katëshe me gurë të bardhë, ku ndaleshin me banim të përkohshëm carët rusë kur vinin për vizitë tek mitropolitët e Rostovit. Territori i Kremlinit është kaq i bukur sa që atje edhe në dimër, edhe në verë mund të shikosh plot piktorë të cilët pozicionohen me kambalecët e vet duke u përpjekur të hedhin në kanavacë bukurinë mahnitëse të godinave gurëbardha. Nga kambanarja e lartë mund të shihet panorama e mrekullueshme e qytetit.

Kremlini i Rostovit u ndërtua në shekullin e XVII në brigjet e liqenit Nero. Mosha e këtij rezervuari të madh natyror mendohet të jetë gjysmë milioni vjet! U krijua ky liqen që në peridhën para-akullnajore dhe pikërisht në zonën e tij u vendosën paraardhësit e sllavëve bashkëkohorë. Pavarësisht nga fakti se nuk është shumë i thellë liqeni është i lundrueshëm megjithatë. Nga një skelë e improvizuar, që ndodhet pas hyrjes kryesore në Kremlinin e Rostovit, nisen rregullisht dy anije turistike. Në shërbim të vizitorëve të qytetit janë edhe shumë barka të vogla me motor të banorëve lokalë. Nga liqeni duket për mrekulli Kremlini dhe 2 manastire - i grave dhe i burrave - që ndodhen në anën e majtë dhe të dhjathtë të tij. Meqë ra fjala, liqeni ngrin që në muajin nëntor. Në qoftë se ju do të ndërmerrni një udhëtim në periudhën e dimrit në Rostov do të keni mundësi të rrëshqisni me patina mbi akull.

Manastiri kryesor i Rostovit konsiderohet Manastiri i burrave i Shëlbuesit Jakob (Спасо-Яковлевский мужской Монастырь). Si kohë e themelimit të Manastirit të burrave të Shëlbuesit Jakob besohet të jetë shekulli i XIV. Me të është e lidhur një legjendë e bukur: Ekziston gojëdhëna sikur Peshkopi Jakob (ose Jakov) nuk lejoi ekzekutimin e mëkatares së penduar, atëhere turma e tërbuar vendosi ta shqyejë atë dhe filloi ta shtyjë drejt liqenit. Jakob hodhi mantelin e tij në sipërfaqen e liqenit dhe kërceu mbi të. Ashtu dhe qëndroi mbi ujë pa u fundosur. Turma e çoroditur, e tmerruar filloi të tërhiqet, i ra atij në gjunjë duke iu lutur për ta mëshiruar, për ta falur atë. Më vonë, pikërisht për nder të Jakobit dhe u ndërtua manastiri, i cili filloi të lulëzojë pas vizitës që bëri atje Perandoresha ruse Ekaterina e Madhe.

Në qendër të oborrit të manastirit ndodhet një kishëz e vogël (kamare me ikonë) barkalece, kurse nën të një pus me ujë, i cili konsiderohet si kurues.

I dyti për nga rëndësia e vet në Rostov është Manastiri Epifania e Abrahamit (Богоявленский Авраамиев Монастырь). Ai u dëmtua rëndë gjatë Revolucionit të Tetorit të vitit 1917 dhe vetëm pak kohë më parë ka filluar restaurimi i tij.

0Në qytetin Rostov i Madh turistët mund të blejnë si kujtim smaltin e famshëm rostovian. Kjo është një teknikë e veçantë punimi në argjendari, kur metali ngjyroset me smalt shumëngjyrësh. Zbukurimet, bizhuteritë e punuara në bazë të kësaj teknike dallohen për koloritin e veçantë dhe pastërtinë e habitshme të ngjyrave.