Në një të ardhme të afërt Rusia do të vërë në zbatim projektin inovativ pilot në sferën e energjetikës alternative. Në qytetin Penza (Rusia Qendrore) është planifikuar ndërtimi i centralit elektrik me biokarburant me kapacitet afërsisht 7 MW (megawatt) - ky është një objekt energjetik mesatar sipas standarteve ndërkombëtare.

Përkundër faktit se Rusia ka rezerva jashtëzakonisht të mëdha të llojeve të ndryshme të burimeve të energjisë - naftë, gaz, qymyr - energjetika alternative, për shembull, gjeotermale apo ajo me shfrytëzimin e biokarburanteve po evoluon gjithashtu. Dhe, duhet thënë, mbi bazë të teknologjive më të fundit inovative dhe me përkrahjen aktive të biznesit privat, i cili shprehet i gatshëm për të investuar në projekte të tilla. Dhe kjo ka shpjegimin e vet. Në territorin jashtëzakonisht të madh të vendit është shumë më i përshtatshëm, më i leverdisshëm përdorimi i lëndëve të para lokale për prodhimin e energjisë. Pikërisht një opsion i tillë dhe po zbatohet në qytetin Penza, vë në dukje Presidenti i Shoqërisë së Bioteknologëve të Rusisë Raif Vasilov:

- Atje ndodhet një nga ndërmarrjet më të mira, më premtuese në vend “Majak”, e cila merret me prodhimin e të gjitha llojeve të letrës. Aktualisht për zhvillimin e saj nevojiten kapacitete suplementare të energjisë elektrike. Në rajonin e Penza-s kapacitete të tilla mund të krijohen, midis të tjerash, edhe për llogari të përpunimit të biomasës. Ne propozuam zbatimin e një projekti të tillë, i cili u prit me interes nga konsorciumi i investitorëve.

Shfrytëzimi në rolin e biokarburantit i mbetjeve të industrisë së përpunimit të drurit lejon zgjidhjen e problemeve serioze të mjedisit (ekologjike), vë në dukje Drejtori i kompanisë “ALOR” Sergei Hestanov:

- Mua mu dha rasti pak kohë më parë të vizitoj një kombinat të madh të përpunimit të drurit në Arkhangelsk. Rreth e përqark tij ngrihen male të tërë me mbeturina prodhimi që nuk shfrytëzohen në kurrfarë mënyre. Prandaj mbështetja e projekteve, që synojnë përdorimin e biokarburanteve si lëndë të parë për prodhimin e energjisë elektrike, është punë e dobishme të paktën për shfrytëzimin e këtyre mbetjeve jashtëzakonisht të mëdha organike. Përveç kësaj, energjia elektrike, e cila prodhohet nga shfrytëzimi i mbetjeve të industrisë së përpunimit të drurit, është mjaft konkurruese përkatësisht çmimit të vet.

0Aty nga viti 2020 në Rusi pjesa e burimeve alternative të prodhimit të energjisë duhet të arrijë deri në 4,5%. Përveç përdorimit të biokarburanteve do të marrin zhvillim edhe drejtime të tilla si energjia e erës dhe ajo gjeotermale, ku ekzistojnë mundësi të mira për bashkëpunim me lideren botërore në këtë fushë - Islandën.

Andrei Smirnov