Rusia do të kundërshtojë normat e Paketës së Tretë të Energjisë të BE-së. Kërkesa kryesore, me të cilën nuk mund të pajtohet kurrsesi “Gazprom”, është ndarja e biznesit për nxjerrjen dhe transportimin e burimeve të energjisë. Ministri rus i Energjetikës Sergei Shmatko kërkoi nga specialistët shqyrtimin e mundësive për zgjidhjen ligjore të këtij problemi. Komuniteti gjerman i biznesit shprehet i gatshëm për të mbështetur Moskën.

Ia vlen të përmendet fakti se BE-ja i është përgjigjur pozitivisht propozimit të Rusisë për ti konsideruar gazsjellësit rusë të eksportit vazhdim të sistemit të tubacioneve ruse. Faktikisht kjo çështje tashmë gjeti zgjidhje me vënien në funksionim dy javë më parë të gazsjellësit “Nord Stream” (Rryma Veriore”). Megjithatë marrëveshja ndërqeveritare për këtë nuk është nënshkruar deri tani. Evropa, e cila ka nevojë aktualisht si kurrë ndonjëherë më parë për gazin rus, do të jetë e detyruar të bëjë lëshime, shprehet me bindje të plotë kryeanalisti i kompanisë ruse “Arbat Capital” Vitali Gromadin:

- Gjatë vënies së përshpejtuar në funksionim të degës së re, asaj të dytë të gazsjellësit “Nord Stream”, Gjermania do të ketë mundësi praktikisht të heqë dorë plotësisht nga infrastruktura e energjisë bërthamore. Tani për tani Berlinit nuk i mjaftojnë për këtë qëllim vëllimet e gazit që merr, kurse katastrofa me centralin bërthamor në Japoni tregoi qartë se kalimi tek përdorimi i gazit është i domosdoshëm në një të ardhme të afërt. Bordi menaxhues i kompanisë ruse “Gazprom” deklaroi se në bazë të kontratave të nënshkruara me Evropën tashmë mund të thuhet se vitin e ardhshëm vëllimi i furnizimeve të gazit do të rritet me më shumë se 1 miliardë metra kub.

Arsyeja kryesore, për shkak të së cilës tani nga ana e BE-së porositë për gaz nuk janë fort të mëdha, është sigurisht kriza ekonomike. Prandaj kanalet e furnizimit të lëndës hidrokarbure duhen ndërtuar në vitet e afërta, ndërkohë që BE-ja po përpiqet të dalë nga gjendja e vështirë financiare. Gjatë këtyre viteve mund të arrihet gjithashtu në marrëveshje në lidhje me Paketën e Tretë të Energjisë. Ndërsa kjo do të thotë se prioritare mbeten dy variante të zhvillimit të mëtejshëm të skenarit: lënda e parë do të furnizohet në Evropë nëpërmjet degëve të gazsjellësit “Nord Stream” (atëhere do të lindë nevoja për ndërtimin e degës së tretë dhe të katërt të tij), ose nëpërmjet tubacioneve të gazsjellësit “South Stream” (“Rryma Jugore”), i cili do të ndihmojë bile dhe për furnizimin e Ballkanit me gaz.

0Problemet e Rusisë me Paketën e Tretë të Energjisë të BE-së duhet të gjejnë zgjidhje në një të ardhme të afërt. Për këtë sinjalizojnë investimet e mëdha nga ana e partnerëve evropianë të bëra në ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream”. Kështu, Wintershall - kompania simotër e koncernit gjerman BASF - planifikon në vitin 2012 të marrë pjesë në përvetësimin e vendburimeve të lëndëve hidrokarbure të kompanisë ruse “Gazprom”. Përveç kësaj, Rusia dhe Evropa ranë dakort të mos përkeqësojnë kushtet e marrëveshjes. Kjo ka gjetur pasqyrim në marrëveshjen e mëparshme për bashkëpunim.

Daria Manina