Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani kanë bërë një hap tjetër drejt formimit të Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik, i cili do të përcaktojë të ardhmen e tre vendeve. Për këtë deklaroi Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev pas nënshkrimit në Kremlin të Deklaratës së Integrimit Ekonomik Euro-Aziatik dhe Traktatit të Komisionit Ekonomik Euro-Aziatik.

Takimi në Moskë përcaktoi qartë perspektivat e integrimit të Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit dhe krijimit të qendrës së re ekonomike dhe gjeopolitike në hapësirën e ish Bashkimit Sovjetik. Që nga 1 janari i vitit 2012 do të hyjë në fuqi paketa e marrëveshjeve ndërkombëtare për krijimin e Hapësirës Unike Ekonomike (HUE) .

Hapësira Unike Ekonomike (HUE) si një nga etapat kyçe të integrimit do të hapë për shtetet që hyjnë në të mundësi të reja për lëvizjen e lirë të mallrave, kapitaleve dhe fuqisë punëtore. Në të ardhmen vendet planifikojnë ndjekjen e një politike të koordinuar monetare dhe makroekonomike. Faktikisht, mund të flitet për krijimin e tregut të brendshëm unik të Rusisë, Bjellorusisë, Kazakistanit, i cili do të jetë i mbrojtur në mënyrë të sigurt nga tronditjet ekonomike globale.

Qëllimi përfundimtar i të gjitha proceseve integruese është arritja e funksionimit më të mirë të ekonomisë, vuri në dukje Dimitri Medvediev. Presidenti i Rusisë theksoi gjithashtu se proceset integruese të tre vendeve po ndiqen me interesim të madh nga shtetet e tjera të Euro-Azisë, duke vënë në dukje gjatë kësaj se fjalë nuk bëhet kurrsesi për dominimin e Rusisë.

- Vetë jeta po dëshmon qartë se bashkëveprimi ynë shumëplanësh është një burim jashtëzakonisht i madh, prandaj po shfaqin interes ndaj strukturës së re të integrimit edhe partnerë të tjerë të EurAsEC-it, Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP ose CIS). Ky fakt na gëzon pa masë dhe dëshmon se tendenca për zgjerimin e bashkëpunimit multilateral mbi bazë të barabartë dhe reciprokisht të leverdisshme po vjen duke marrë forcë. Ne jemi krejtësisht të hapur për të gjithë ata që kuptojnë avantazhin e bashkimit të potencialeve tona.  

0Aktualisht Bashkimi Evropian - projekti më i rëndësishëm i gjysmës së dytë të shekullit të XX - ka marrë plasaritje të thellë dhe askush nuk merr guximin të parashikojë se si do ta transformojë atë kriza e tanishme. Në këtë sfond krijimi i një qendre të re force euro-aziatike, GDP-ja totale e së cilës e tejkalon shumën 2 trilionë $, po vjen duke marrë një tingëllim të veçantë. Në radhë të parë për popullsinë e saj, e cila arrin në më shumë se 170 milionë njerëz. Përveç kësaj, sipas fjalëve të Dimitri Medvediev, midis BE-së dhe Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik, që po krijohet, ekziston një ndryshim thelbësor: Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani po bashkohen si vende me nivel pothuajse të njëjtë ekonomik, kurse Bashkimi Evropian ka përfshirë në vetvete si vende të forta, ashtu dhe të dobëta. Dhe tani këto shtete të dobëta po e tërheqin me shpejtësi të madhe teposhtë Bashkimin Evropian.

Ilia Harllamov