Myslimanët rusë do të kenë rrjetin e tyre social në Internet duke filluar që nga prilli i vitit 2012. Kjo do të jetë pjesë e rrjetit global islam Salam World. Projekti do të lançohet njëkohësisht në anglisht, arabisht, rusisht, frengjisht, farsi (persisht), urdu, në gjuhën malay dhe indonezisht.  

Myslimanët rusë, po ashtu si dhe orthodhoksit, vendosën të përshtasin teknologjitë moderne për nevojat e tyre. Në prag Kryetari i Këshillit të Myftinjve të Rusisë Sheiku Ravil Gainutdin nënshkroi një memorandum për bashkëpunimin me drejtuesit e projektit të ri në Internet. Ai aspiron për rolin e analogut islam të Facebook. Projekti mbikëqyret nga Presidenti i Qendrës Kulturore Islame Abdul Wahed Niyazov. Në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” ai deklaroi se Salam World është një rrjet pa kufij, pa politikë, pa propagandë dhune, alkooli dhe “emancipim, liri seksuale”.

- Ne jemi pjesë e një ekipi të madh ndërkombëtar. Nevoja e krijimit të rrjetit u kushtëzua nga fakti se aktualisht në botë jetojnë 1,5 miliardë myslimanë, por në Internet nuk kanë platformë për kontakte, për komunkim. Prandaj ideja e projektit global, në të cilin jemi përfshirë edhe ne, konsiston në krijimin e një hapësire të sigurt për famijet tona, fëmijët tanë. Në të njëjtën kohë ajo duhet të na japë mundësi për të komunikuar dhe për të gëzuar frytet e arritjeve të habitshme në botën online, duke respektuar gjatë kësaj sigurinë që parashikon Islami.

Zyra qendrore e rrjetit Salam World ndodhet në Stamboll. Planifikohet hapja e 15 selive të tij në gjithë botën, ndër të tjera në Kajro dhe Moskë. Projekti u ideua prej një grupi myslimanësh nga Rusia, Malajzia, Kazakistani, Gjermania, Egjipti. Ai po zhvillohet ekskluzivisht me paratë e “një grupi entuziastësh”, sponsorizimi nga organizata të tjera shoqërore ose politike përjashtohet plotësisht.

Hartuesit e projektit të rrjetit Salam World mbartin plane shumë ambicioze. Ata deklarojnë se tani më shumë se 100 mijë persona kërkojnë përfshirjen e adresave të tyre në listën e ardhshme të buletinit. Ata shpresojnë që tashmë pas tre vjetësh ta rrisin numrin e përdoruesve të rrjetit Internet deri në 100 milionë veta.

0Ekspertët janë të mendimit se rrjeti i ri mysliman ka shumë shanse për sukses. Ai mund të ketë një audiencë jashtëzakonisht të madhe për shkak të unitetit të paparë të komuniteteve myslimane. Ato kanë akumuluar një masë të madhe problemesh e shqetësimesh që kërkojnë diskutim vetëm në territorin e vet.

Vladimir Fedoruk