Kozmosi në pritje të femrave ruse. Ekipi i kozmonautëve do të zhvillojë një konkurs të hapur në mesin e femrave pretendente, njoftoi Kreu i Departamentit kozmik rus Vladimir Popovkin. Ai siguroi gjithashtu se Elena Serova - gruaja e vetme deri më sot në përbërjen e ekipit të kozmonautëve - do të fluturojë patjetër në orbitë.

Që në dhjetor të vitit 1961, disa muaj pas fluturimit historik të Juri Gagarinit, Qeveria sovjetike urdhëroi krijimin e grupit të femrave kozmonaute. Në të hynë 5 veta. Atyre, në mënyrë të pashpallur publikisht, u merrej premtimi se nuk do të nxitohen me bërjen e fëmijëve - një kusht i tillë i atribuohet Sergei Korolovit. Dhe ja, erdhi marsi i vitit 1963. Për herë të parë në histori në orbitë me diferencë një ditore duhej të niseshin menjëherë dy anije kozmike - “Vostok-5” dhe “Vostok-6” - të pilotuara nga Valentina Tereshkova dhe Valentina Ponomariova.

Çdo gjë ishte gati për start, por planet e fluturimit ndryshuan në mënyrë kardinale. Valentina Ponomariova, e cila ishte trajnuar bile më mirë se Valentina Tereshkova, përjashtohet nga fluturimi. Tereshkovën e transferojnë në anijen “Vostok-6”, kurse komandant i “Vostok-5” emërohet Valeri Bikovskij. Përse e distancuan nga projekti Ponomariovën? Ndoshta për shkak të faktit se ajo në intervistat e veta në vigjilje të fluturimit devijoi disa herë nga klishetë e pranuara, të zakonshme sovjetike, gjë kjo që nuk mund të thuhet për Tereshkovën.

Për arsye se Valeri Bikovskij nuk kishte bërë ende kursin e trajnimit, starti i tij i përbashkët me Tereshkovën u desh të shtyhej. Si rezultat, bota e mësoi emrin e femrës së parë kozmonaute në historinë e përvetësimit të kozmosit vetëm në qershor të vitit 1963. Gjatë këtij fluturimi gjithashtu për herë të parë në histori u realizua komunikimi me radio midis anijeve kozmike, të cilat u afruan me njëra-tjetrën deri në distancën 5 kilometra.

Pas Valentina Tereshkovës femra në Bashkimin Sovjetik nuk u dërguan më në orbitë për 19 vjet. Vetëm në vitin 1982 oshëtiu emri i kozmonautes Svetllana Savitskaja - anëtares së ekspeditës që do të nisej me anijen ruse “Sojuz” drejt stacionit kozmik “Salyut-7”. Dy vjet më vonë, gjatë fluturimit të vet të dytë në stacionin kozmik, ajo u bë femra e parë që doli në kozmos të hapur. Në vitet 1994 dhe 1997 ajo fluturoi në stacionin “Mir” me anijen ruse “Sojuz” dhe shutlle amerikan “Atlantic”. Po përse është kaq e varfër lista e kozmonauteve vepruese ruse? Ndërkohë që trajnimi i tyre nuk është ndërprerë asnjëherë? Problemi konsiston në diçka tjetër, thotë eksperti në fushën e kozmonautikës Igor Lisov:

- Ne kemi të rrënjosur në mendje një percetim të tillë: kozmonauti që fluturon duhet të jetë i përgatitur për tu përballuar me gjithçka që mund të hasë në orbitë. Në veçanti, atje duhet bërë edhe një punë e tillë e komplikuar dhe shumë e rëndë si dalja në kozmos të hapur. Mendohet se femra për shkak të karakteristikeve të veta fiziologjike e ka më të vështirë për ta bërë këtë punë. Ndërsa në fakt ky është një diferencim krejtësisht artificial. Të marrim po ata amerikanë - 30 femrat astronaute që kanë fluturuar tashmë në kozmos, demonstruan qartë se gruaja mund të kryejë shumë mirë po të njëjtat funksione si dhe meshkujt.

0Vërtetë, në qoftë se do ti shikoni me vemendje këto astronaute, do të vëreni se shumë nga ato kanë filluar të ngjasojnë disi me burrat, shprehet me shaka Igor Lisov. Ndoshta ky është çmimi që paguajnë ato për profesionin e zgjedhur.

Boris Pavlishiev