Stokholmi nuk ka përmbushur rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Hostingu i burimit ekstremist “Kaukaz-Center” në Internet deri tani nuk është bllokuar, njoftoi Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB. Vitali Çurkin e quajti “pikëllues” faktin se autoritetet suedeze vazhdojnë të injorojnë vendimin e Organit të autoritetit suprem në politikën botërore.

“Kaukaz-Center” për herë të parë u shfaq në Internet në mars të vitit 1999. Atëhere burimi bazohej në Grozni të Çeçenisë. Gjatë operacionit anti-terrorist në Çeçeni faqja (site) mori anën e krahut më radikal të rrebelëve. Famën e vet ky burim e fitoi me publikimin e materialeve me natyrë rusofobe dhe detajet e jetës së separatistëve, të cilat shpesh herë nuk korrespondonin me realitetin.

Siç kujtoi Vitali Çurkin, faqja (siti) ka ndërruar disa herë “regjistrimin, pasaportizimin e vet” dhe rrjedhimisht u vendos përfundimisht në Suedi. Në korrik të këtij viti Këshilli i Sigurimit i OKB-së e përfshiu në listën e organizatave terroriste edhe të ashtuquajturën “Emirati i Kaukazit”, zëdhënëse e së cilës është faqja “Kaukaz-Center”. Fakti, që kjo organizatë është “dorë e Al-Qaedas” në Kaukazin e Veriut, u pranua dhe nga ekspertë të njohur në SHBA.

Në përputhje me rezolutën e OKB-së, sipas fjalëve të Vitali Çurkin, “ndaj “Kaukaz-Center” duhej të ishin vënë në veprim sanksionet financiare për mbytjen e aktivitetit të saj”. E megjithatë autoritetet suedeze nuk nxitojnë aspak të zbatojnë vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dhe nuk ka kurrfarë gjasash që ta mbyllin faqen (site) në të ardhmen e afërt, thotë eksperti rus për sigurinë Sergei Gonçarov:

- Vendet evropiane nuk kanë hequr dorë kurrë nga “standartet e dyfishta”. Unë mendoj se në një të ardhme të afërt faqja “Kaukaz-Center” nuk do të mbyllet. Suedezët besojnë se liria e fjalës - siç e perceptojnë ata këtë nocion - është shumë më e rëndësishme se ato nuanca politike që lindin në marrëdhëniet midis vendeve tona.

Stokholmi liberal vendimin e OKB-së thjesht e injoron, vuri në dukje në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” analisti i Institutit të Globalizimit Mihaill Neizhmakov:

- Vendet shpesh herë injorojnë vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak se vetë ai (Këshilli) nuk disponon asnjë instrument për t’i detyruar ato të përmbushin këtë vendim. Suedia e ndjen për mrekulli se nuk do të pasojë kurrfarë presioni për këtë nga ana e Këshillit të Sigurimit, nga partnerët e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Prandaj dhe i lejon vetes të injorojë në mënyrë të tillë të paskrupullt vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

0Kështu pra, evidentohet sërish aplikimi i standarteve të dyfishta. Sepse nuk po gjenden as të tillë që ta bëjnë me turp Stokholmin me qëllim që ai të mbyllë burimin e bashkëfajtorëve të “Al-Qaedas”. Si përfundim kemi marrë rezultatin për të cilin foli Presidenti rus Dimitri Medvediev: Perëndimi e shfrytëzon Këshillin e Sigurimit të OKB-së si instrument për të “legjitimuar” planet e veta shpesh herë shkatërrimtare. Moska nuk do ta lejojë Perëndimin që ta bëjë këtë - sepse të drejtën e vetos nuk e ka anuluar askush.

Igor Sileckij