Ugliç është një nga qytetet më të bukur, më të hijshëm, më të mirëmbajtur dhe më të këndshëm në rajonin e Vollgës.

Pikërisht këtu dhe mori fund sundimi i dinastisë Riurikovitch (The Rurik Dynasty) në fronin rus, dinastisë e cila drejtoi shtetin për shtatë shekuj me rradhë. Në këtë qytet u vra trashëgimtari i Carit Ivani i Tmerrshëm - djali i tij i mitur Dimitri.

Ndoshta të gjithë e dinë se Ivani i Tmerrshëm (i dinastisë Riurikovitch) vrau duke goditur me stap në kokë në një shpërthim vale zemërimi të birin e vet - Ivanin. Por Cari Ivani i Tmerrshëm përveç atij kishte edhe dy djem të tjerë: Fjodorin nga gruaja e tij e parë dhe Dimitrin nga martesa e shtatë. Pas vdekjes së sundimtarit në fronin rus hipi Fjodori - njeri me karakter të dobët. Ai nuk kishte aspak dëshirë të merrej me drejtimin e shtetit. Preferonte të lutej gjithë kohës i vetëm në qetësi. Prandaj që në të gjallë të vet babai krijoi Këshillin e Oborrit mbretëror për ti ardhur atij në ndihmë. Këshilli përbëhej nga pesë persona, përfshirë edhe Boris Godunov, i cili ishte njeri i afërt i Carit Ivani i Tmerrshëm.

Djali tjetër i mitur i Ivanit të Tmerrshëm - Dimitri - pas vdekjes së atit të tij u dërgua me nënën Ugliç. Dimitri i ngjante shumë babait të vet dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me vëllanë e tij të butë dhe krejtësisht indiferent ndaj punëve shtetërore - Fjodorin. Fjodori nuk kishte fëmijë dhe gjithçka dëshmonte se pas vdekjes së vëllait Dimitri do të zinte vendin e sundimtarit rus.

Por më 15 maj të vitit 1591 fëmija 8-vjeçar u gjet i vdekur, me fyt të prerë. Zyrtarisht atëhere u deklarua se djali u lëndua vetë me diçka të mprehtë gjatë kohës së një krize epilepsie, por në popull qarkullonin fjalë se vdekja e trashëgimtarit të Ivanit të Tmerrshëm i leverdiste Boris Godunovit. Por se ç’ndodhi në të vërtetë me Dimitrin ka mbetur enigmë deri tani.

100 vjet pas vdekjes së Princit (Dimitrit), pikërisht në vendin ku u gjet trupi i tij pa jetë, u ndërtua një kishë e cila dhe është quajtur - Mbi gjakun e Dimitrit (rus. Церковь Дмитрия на крови). Brenda kishës në afresket e saj ka gjetur pasqyrim në mënyrë figurative e gjithë historia e vdekjes së djalit të familjes mbretërore.

Në shekullin e XV u ndërtua Kremlini i Ugliçit. Një herë e një kohë ai përfaqësonte në vetvete një fortesë mjaft të madhe, serioze mbrojtëse me bedena të shumta, mure të fortë kalaje dhe ura lëvizëse (ngritëse). Deri në ditët tona kanë mbijetuar vetëm disa tempuj, ndër të cilët edhe Katedralja e Shpërfytyrimit të Shenjtë (të Zotit Jizu Krisht) (rus.Спасо-Преображенский Собор). Brenda saj ndodhet një ikonostas i mrekullueshëm, madhështor, i larë i tëri me flori.

Ndërtesa më e vjetër e Kremlinit të Ugliçit, e mbijetuar që nga shekulli XV, është ajo ku pat jetuar princi Dimitri me nënën e vet. Ajo është ruajtur plotësisht në formën e vet të mirëfilltë.

Në Ugliç janë ruajtur edhe dy manastire të mëdha. I pari është Manastiri femëror Aleksejevskij (rus. Алексеевский Монастырь). Ai u ndërtua në shekullin e XIV dhe vazhdon të jetë veprues edhe sot e kësaj dite. Manastiri i dytë femëror - i Epifanisë  - ndodhet ngjitur me Kremlinin. Pikërisht atje pas vdekjes së princit Dimitri u ngujua nëna e tij - Maria Fjodorovna.

Qyteti ka shumë muzeume, por më interesanti prej tyre është Muzeu i Vodkës ruse. Ekzistenca e tij është e lidhur me faktin se vendlindja e “mbretit të vodkës” Pjotër Smirnov është pikërisht qyteti Ugliç. Ai u lind këtu dhe po këtu ka gjetur prehjen e vet të fundit. Smirnov ishte me prejadhje nga fshatarët bujkrobër, por në saje të talentit të tij u bë një nga tregtarët më të pasur dhe bile furnizues i produkteve për pallatin mbretëror. Në këtë Muze vizitorët mund të shohin pajisje të moçme të prodhimit të pijes së quajtur samogon (raki shtëpie), makinat e para të mekanizuara për mbushjen e shisheve me vodkë. Dhe atje vodka jo vetëm mund të shihet, por edhe të ngjërohet në sallën e të provuarit.

Edhe një objekt tjetër mjaft interesant është Muzeu i artit të burgut. Në dy dhoma të vogla janë ekspozuar sende, instrumente e plot gjëra të tjera të bëra nga të burgosurit me materiale skrap. Dhe midis eksponateve nuk ka vetëm vegla për mprehje dhe çelësa kopil, por edhe piktura të bëra në çarçafë me stilolaps të thjeshtë. Sigurisht, ky muze nuk është për të gjithë, më tepër për njerëzit e sofistikuar, kuriozë. Por, duhet thënë, të tillë të dytë në Rusi nuk gjen më.

Qyteti Ugliç është i përshtatshëm për tu vizituar gjatë gjithë vitit. Në verë vizitorët e tij mund të lundrojnë nëpër ujërat e lumit të madhërishëm Vollga me anije ose varkë të vogël me motor. Në gusht këtu zhvillohet ekspozita e bereqetit. Edhe në dimër Ugliçi është i hijshëm, tërheqës në mënyrën e vet. Në muajin shkurt në Ugliç zhvillohet festivali i bukur “Argëtimet dimërore”. Vollga në këtë periudhë është e mbuluar nga një shtesë e trashë akulli dhe mbi të mund të bëhet patinazh. Organizohet gjithashtu peshkimi dimëror, jepen me qira slita dhe kuadrocikle (ATV).

0Dhe, sigurisht, duke lënë këtë qytet të mrekullueshëm mos harroni të blini suvenire: sende të shumëllojshme prej liri, kukullat e famshme të Ugliçit dhe çorape leshi të përkryera.