Në Oqeanin Paqësor u zhvilluan stërvitjet ndërkombëtare të Sistemit të Paralajmërimit të Cunamit “Pacific Wave 2011”. Në to u përfshinë Rusia, Japonia, Ishujt Filipine, Kili, Ekuadori, SHBA dhe vendet e Amerikës Qendrore.

Ngjarjet në Kili në vitin 2010 dhe Japoni në mars të këtij viti dëshmuan domosdoshmërinë e gatishmërisë së rritur në rast të lindjes së rrezikut të cunamit. Objektiv kryesor i stërvitjeve “Pacific Wave 2011” ishte përmirësimi i koordinimit të përgjithshëm të veprimeve në rajon në rast të evidentimit të burimit “të afërt” të cunamit, domethënë kur koha në mes të rënies së tërmetit dhe ardhjes së cunamit mund të përbëjë vetëm disa minuta.

Në kohën e zhvillimit të stërvitjeve ndërkombëtare u modelua situata me cunamin katastrofik, gjatë së cilës në vendet e rajonit të Oqeanit Paqësor shpallet alarmi “cunami”, që kërkon marrjen e masave urgjente, duke përfshirë edhe njoftimin e popullsisë. U përpunuan 10 skenarë të ndryshëm me qëllim që çdo vend-pjesëmarrës të kishte mundësi të përcaktonte zgjedhjen e burimit më të afërt të cunamit. Stërvitjet filluan me njoftimin prej Agjencisë Meteorologjike të Japonisë në qendrat koordinuese të vendeve të tjera të rajonit të Oqeanit Paqësore të lajmit mbi cunamin. Pas marrjes së paralajmërimit vendet filluan menjëherë të veprojnë.

Sipas skenarit të përcaktuar për Rusinë tërmeti “mësimor” ndodhi në afërsi të bregdetit juglindor të Gadishullit të Kamçatkës. U presupozua se vala katastrofike do të shembet mbi bregdetin e Ishujve Kurile dhe Gadishullit të Kamçatkës, duke depërtuar më pas në Detin Ohotsk (Okhotsk) e me dalje në ishullin Sahalin (Sakhalin). Prandaj alarmi u shpall pikërisht për banorët e këtyre rajoneve, tregoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Koordinatorja e stërvitjeve “Pacific Wave 2011”, Shefja e Qendrës së cunameve të Sahalinit Tatiana Ivelskaja:

- U verifikua sistemi i paralajmërimit, u testua gatishmëria e shërbimeve të kësaj fushe. Përveç kësaj, në Juzhno-Kurilsk u zhvilluan aktivitetet praktike, në veçanti, evakuimi i popullsisë nga zona e banimit që ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë dhe evakuimi i shkollës që ndodhej në zonë ultësire.

0Stërvitjet ndërkombëtare “Pacific Wave 2011”, të cilat ndihmojnë për evidentimin e anëve të forta dhe të dobëta të sistemit të paralajmërimit të cunamit në çdo vend, u zhvilluan tashmë për të tretën herë. Për herë të parë ato filluan në maj të vitit 2006, për herë të dytë u zhvilluan në tetor të vitit 2008. Aktualisht koordinatorët nga shërbimet përkatëse të vendeve pjesëmarrëse në to po përgatisin raporte të hollësishme mbi ecurinë e stërvitjeve të lidhura me alarmin e “cunamit”. Vlerësimin e përgjithshëm të efektivitetit  të aktivitetit të Sistemit të Paralajmërimit të Cunamit në Oqeanin Paqësor do ta japë më vonë Komisioni Ndërqeveritar i Oqeanografisë të UNESKO-s.

Maria Domnickaja