Rusia shprehet e gatshme të ndihmojë Evropën, por vetëm jo nëpërmjet Fondit Evropian të Stabilitetit Financiar (EFSF). Tani për tani për këtë qëllim ekziston një mekanizëm i vetëm i qartë - FMN-ja. Një deklaratë e tillë u bë nga Ndihmësi i Presidentit të Rusisë Arkadi Dvorkoviç.

Sipas fjalëve të tij, mundësia e investimeve në EFSF tani për tani as që mund të merret në konsideratë nga Rusia. Arsyeja kryesore - është krejtësisht e pakuptueshme mënyra e funksionimit të kësaj strukture, theksoi Ndihmësi i Presidentit rus. Për luftën kundër krizës Fondit Monetar Ndërkombëtar mund ti nevojiten rreth 300 miliardë $. Kontributi i mundshëm i Rusisë ka të bëjë me pjesën e saj në këtë Fond. Dhe Moska nuk ka ndërmend ta rrisë atë tani, tha Arkadi Dvorkoviç. Ai vuri në dukje se Moska del në mbështetje të reformës në Bordin drejtues të FMN, duke marrë parasysh rolin në rritje të vendeve të BRIKS (BRICS). Në kuadër të samitit të fundit të “G-20” në Kanë organizata në fjalë deklaroi mbi gatishmërinë e vet për të marrë pjesë në zgjidhjen e krizës evropiane.

Përveç “G-20” dhe BRIKS Rusia merr pjesë edhe në shumë bashkime të tjera si në nivel global, ashtu dhe rajonal. Në botën e sotme kjo është një domosdoshmëri e vetëdijshme dhe jo, thjesht, një dëshirë për të qenë e pranishme gjithmonë dhe kudo, thotë Arkadi Dvorkoviç:

- Gjithkush përpiqet që ta shfrytëzojë maksimalisht këtë potencial, në çdo format ekzistues konkret. Një strukturë e tillë shumë-nivelëshe e politikës dhe ekonomisë ndërkombëtare është e dobishme. Edhe sikur të dështojë marrëveshja në ndonjë format, në ndonjë tjetër arritja e saj do të bëhet plotësisht e mundur, gjë kjo që na lejon të avancojmë gjithmonë përpara. Për ne është i rëndësishëm jo vetëm dialogu, por edhe komunikimi shumëpalësh me të gjithë partnerët. “G-20”, sigurisht, është që është një organizatë shumë e  rëndësishme - ajo është 80% e ekonomisë botërore. Por Tajlanda, Kili dhe të tjera janë gjithashtu vende tejet të rëndësishme për ne, të cilat nuk janë përfaqësuar në të. Aktiviteti ynë në rajonin e Paqësorit është një politikë e arsyeshme, e fokusuar në mbrojtjen e interesave të përbashkëta ekonomike. Ne nuk duhet të kufizohemi vetëm me Evropën, ajo vazhdon të mbetet, padyshim, partnerja jonë më e madhe. Por ne i përmbahemi mendimit se bashkëveprimi ynë me Azinë vetëm do ti shërbejë forcimit të Evropës.

Politika e jashtme multi-vektoriale aktualisht është i vetmi mekanizëm veprues, pranon Presidenti i Fondit “EuroAzia e Re”, analisti politik Andrei Kortunov:

- Në botën e sotme po humbet aktualitetin, rëndësinë e vet ndarja në Evropë dhe Azi. Diversifikimi i portofolit të politikës së jashtme është i dobishëm veçanërisht tani, duke patur parasysh rreziqet ekzistuese politike dhe ekonomike.

0Samiti i udhëheqësve të APEC, i cili do të zhvillohet në fund të kësaj jave, mund të konfirmojë plotësisht mendimin e ekspertëve. Duke iu kushtuar tradicionalisht tematikës rajonale, kësaj here APEC mund të zgjerojë rendin e vet të ditës. Sepse Kina, Rusia dhe SHBA janë ingranuar në procesin e zgjidhjes së krizës së borxhit evropian.

Polina Çernica