Sot në qytetin gjerman Lubmin u zhvillua ceremonia zyrtare e vënies në shfrytëzim të gazsjellësit “Nord Stream” (“Rryma Veriore”). Kjo është rruga më e shkurtër e gazit rus drejt 26 milionë konsumatorëve evropianë.

Galeria fotografike: Lançimi i gazsjellësit "Nord Stream"

Tubacioni në fjalë do të lejojë rritjen e vëllimeve të furnizimeve të gazit, e cila është veçanërisht e rëndësishme në kushtet kur Evropa po përpiqet të kapërcejë problemet e lidhura me krizën ekonomike, deklaroi Presidenti rus Dimitri Medvediev gjatë lançimit të degës së parë të tubacionit “Nord Stream”:

- Gazi natyror i Rusisë, energjia elektrike e përftuar nga ky gaz mund të garantojnë me furnizim të sigurt energjie banorët e kontinentit. Tashmë në vitet e ardhshme me lançimin e degës së dytë të tij konsumatorët evropianë do të kenë mundësi të marrin çdo vit nga Rusia deri në 55 miliardë metra kub gaz. Ne shpresojmë shumë se ekonomia do të jetë në gjendje të kapërcejë të gjitha vështirësitë e momentit, se do të dalë në nivel të qëndrueshëm rritje dhe atëhere, sipas vlerësimeve të specialistëve, kërkesat e përvitshme suplementare të miqve tanë për gaz aty nga viti 2020 të mund të rriten deri në 200 miliardë metra kub gaz.

Janë marrë parasysh në këtë projekt edhe çështjet e sigurisë mjedisore. Një vend të veçantë në të zë monitorimi që ekspertët po realizojnë njëherazi në 16 opsione, duke përfshirë karakteristikat e ujit, mjedisin biologjik, vlerësimin e ndikimit në peshkim dhe objektet e trashëgimisë kulturore. Si rezultat, madje që para vënies në shfrytëzim të gazsjellësit “Nord Stream”, u bë mëse e qartë se ndikimi faktik i tubacionit mbi mjedisin rrethues doli shumë më i ulët nga  sa ishte planifikuar fillimisht.

Veçori e tubacionit “Nord Stream” është mungesa e stacioneve të ndërmjetme të kompresimit. Përveç kësaj, pjesa më e madhe e tij kalon përtej ujërave territoriale dhe për llogari të kësaj reduktohet sasia e taksave. Dega e parë e gazsjellësit “Nord Stream” kalon nëpër territoret e 5 shteteve: Rusisë, Finlandës, Gjermanisë, Suedisë dhe Danimarkës. Fillimisht kostoja e çdo dege u vlerësua në 2 miliardë euro. Por më vonë u bë e qartë se projekti kërkon shumë më tepër investime. Si rezultat, çmimi i degës së parë rezultoi 7,4 miliardë euro. 70% e kostos së tubacionit që po shtrohet nëpër fundin e Detit Balltik financohet me mjetet e 26 bankave, kurse 30% e tjera me paratë e aksionerëve. Në momentet aktuale aksionarët aktualë të projektit “Nord Stream” janë “Gazprom” rus, kompanitë gjermane BASF SE/Wintershall Holding dhe E.ON Ruhrgas, kompania franceze GDF Suez dhe ajo holandeze Gasunie. Një partneritet i tillë internacional është prova më e mirë e efektivitetit të projektit, konkludoi Dimitri Medvediev.

0Meqë ra fjala, baza kryesore e rezervave të gazit për tubacionin “Nord Stream” - vendburimi i quajtur Juzhno-Russkoje në qarkun Autonom Yamalo-Nenets të Rusisë - po përvetësohet gjithashtu bashkarisht nga “Gazprom” rus dhe kompanitë gjermane BASF/Wintershall e E.ON. Ky vendburim i madh i lëndës hidrokarbure në Rusi filloi të shfrytëzohet në dhjetor të vitit 2007.

Anna Forostenko