Sergiev Posad është një nga qytetet në qarkun e Moskës që ndodhet rreth 50 kilometra larg kryeqytetit rus. Pikërisht atje ndodhet Lavra (munështiri) e Shën Triadhës së Sergievit (Троице-Сериева Лавра), monumenti i famshëm i kulturës dhe artit që ka hyrë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s.

Sergiev Posad mori konturet e qytetit në fillim të shekullit të XVIII, kur fshatrat e moçme, të vendosua rreth e përqark Manastirit të vjetër të Shën Triadhës, u shkrinë të gjitha në një vend banim unik, që nominohet ndryshe edhe posad. Ky qytet u quajt Sergiev Posad për nder të themeluesit të këtij Manastiri dhe mungut, asketit të famshëm që iu përkushtua me vetëmohim shërbimit ndaj Zotit, i cili pat jetuar në shekullin XIV. Dhe hyri ai në historinë e Rusisë jo vetëm si themelues i Manastirit, por dhe si përkrahës aktiv i princave (kniazëve) moskovitë, të cilët dilnin për bashkimin e të gjitha tokave ruse rreth Moskës.

Sergiev Posad fitoi një popullaritet kaq të madh në Rusinë cariste, saqë atje në vitin 1862 u shtrua një nga rrugët e para hekurudhore në vend. Pas revolucionit të vitit 1917 ky qytet u riemërtua Zagorsk, në emër të njërit prej revolucionarëve të njohur të asaj kohe. Ndërsa tani qyteti ka rimarrë sërish emrin e vet të parë, origjinal.

Lavra (munështiri) e famshme e Shën Triadhës së Sergievit (Троице-Сериева Лавра), e cila shkëlqen tani me gjithë bukurinë e vet mahnitëse me kupola të arta dhe bojë qielli, ndodhet mu në qendër të Sergiev Posad. E filloi ekzistencën e vet ajo me një kishë të vogël prej druri me emër të Trinisë së Shenjtë, e cila u ndërtua nga murgu Sergi në thellësi të pyllit në vitin 1337. Katedralja e tanishme me gurë të bardhë e Shën Triadhës - kryekisha e katedrales dhe një nga ndërtesat më të moçme të manastirit - u ndërtua në vitin 1422. Pikërish me të dhe filloi konstruktimi i ansamblit arkitekturor të manastirit. Tesari më i madh, kryesor artistik i Kryekishës së Shën Triadhës është Ikonostasi i saj me pesë nivele, shumica e ikonave të të cilit janë bërë nga dora e piktorit të famshëm ikonograf Andrei Rublov në fillim të shekullit XV.

Lavra (munështiri) është ruajtur deri në ditët tona sipas planimetrisë së projektuar nga vetë Shën Sergi. Por, natyrisht, katedralet dhe qelitë e shumta të murgjve, mensa, seminari (shkolla fetare) u ndërtuan më vonë. Për shembull, Menca (godina e ngrënies për aristokratët) e mrekullueshme, madhështore në stilin barok, e cila u ndërtua në fund të shekullit XVII gjatë kohës së Pjetrit të Parë (të Madh), kur ai një djalë 17-vjeçar gjeti strehim këtu nga rebelimi strelets i vitit 1698 (kështu quhet kryengritja e regjimentit mushqetar të Moskës e shkaktuar nga vështirësitë e shërbimit në qytetet kufitare, fushatat rraskapitëse dhe masat shtypëse që ushtroheshin mbi ushtarët nga ana e kolonelëve) dhe përndjekja e motrës së tij prej babe Sofia, e cila nuk donte t’ia linte atij fronin.

Një nga vendet më të bukura të rrethinave të Sergiev Posad është, padyshim, Oshënaria (manastiri) e Gjetsemanit (Гефсиманский скит), historia e të cilit filloi në mesin e shekullit të XIX-të. Në “Gjetsemanin rus” murgjit hermitë luteshin për shpëtimin e njerëzve. Ata çanë në faqen e shkëmbit vende për qeli të vetmuara dhe atje, në të ftohtë e lagështirë të madhe, në mendime, përsiatje dhe lutje pafund ata kalonin ditët e veta. Nga fillimi i shekullit të kaluar kjo oshënari filloi të gëzonte më shumë popullaritet bile dhe se vetë Lavra. Ajo u bë vend strehim për 400 murgj që jetonin në mënyrë jashtëzakonisht modeste, në rreptësi të madhe.

Është edhe një vend tjetër që ia vlen të vizitohet medoemos nga ata që shkojnë deri në Sergiev Posad. 20 kilometra nga qyteti Sergiev Posad ndodhet Ujëvara gurra Zhurmëmadhe (Водопад Гремячий ключ). Sipas legjendës, nga gjiri i shkëmbit filluan të gurgullojnë burime të shumta uji falë lutjes së Shën Sergit, i cili gjeti vendstrehim atje. Gurra Zhurmëmadhe, po ashtu si dhe Lavra, është shndërruar që prej kohësh në vend pelegrinazhi. Burimet e ujit janë ujdisur e sistemuar mirë këtu. Të gjitha rrugët e ngushta që të çojnë atje janë shtruar në mënyrë të rregullt me dërrasa. Lart, në vendin ku buron uji nga gurra, të çon një shkallë e gjatë. Poshtë ndodhen vendet e larjes, ku zhvillohen ceremonitë e pastrimit nëse njeriu që shkon atje është besimtar. Në qendër të kompozicionit ngrihet një tempull prej druri në formën e kryqit. Të gjitha këto janë ndërtuar në traditën e arkitekturës veriore ruse.

0Nuk mund të mos vemë në dukje edhe faktin se qyteti Sergiev Posav ka marrë nam të madh për artin e vet të gdhendjes në dru: në të gjithë Rusinë përhapeshin prej këtu peshtafët, kutitë dhe orenditë shtëpiake prej druri. Por popullaritetin më të madh e fitoi megjithatë lodra e Sergiev Posadit. Pikërisht këtu dhe lindi kukulla e famshme në gjithë botën e quajtur Matrioshka ruse. Dhe deri tani besohet se po të blesh një matrioshkë pranë mureve të Lavrës, kjo do të thotë se ke kryer një bamirësi. Sepse vetë Shën Sergi gdhendëte kukulla të tilla prej druri për të zbavitur fëmijët.