Bashkëpunimi me Afganistanin në luftën kundër terrorizmit dhe trafikimit të drogës do të intensifikohet. Për këtë ranë dakort pjesëmarrësit e Konferencës Rajonale Ndërkombëtare “Bashkëpunimi dhe siguria në zemër të Azisë”, e cila u zhvillua në Stamboll.

Në komunikatën e përhapur, të miratuar mbi bazë të përfundimeve të Konferencës, është theksuar në mënyrë të veçantë se bashkëpunimi në Afganistan do të forcohet jo vetëm në nivel rajonal, por dhe me tërheqjen e vemendjes së gjithë komunitetit botëror. Vetë formula “Zemra e Azisë”, e cila u përdor në titullin e forumit, bashkon 13 shtete. Këto janë: Afganistani, Pakistani, Turqia, Kina, India, republikat e Azisë Qendrore të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP ose CIS), Arabia Saudite. Por në këtë konferencë morrën pjesë edhe përfaqësuesit e shteteve të tjera, përfshirë edhe ata të Rusisë.

Presidenti i Afganistanit Hamid Karzai përcaktoi si detyrë kryesore të qeverisë së tij pajtimin kombëtar. Ai u bëri thirrje talebanëve për të ndaluar veprimet luftarake. Udhëheqësit e kësaj Lëvizjeje mund të bashkohen me procesin e paqes në qoftë se do të presin lidhjet me “Al-Qaeda” dhe do të rikthehen në jetën civile duke njohur Kushtetutën afgane. Kryetari i shtetit theksoi, se procesi i paqes nuk do të mund të kurorëzohet me sukses deri sa të mos vendosen kontaktet me udhëheqjen e talebanëve që ndodhen në territorin e Pakistanit.

Procesi i paqes në Afganistan është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me tërheqjen e trupave të koalicionit ndërkombëtar nga territori i vendit dhe dorëzimin e plotfuqishmërive për garantimin e sigurisë në Afganistan autoriteteve lokale. Pritet që kjo të ndodhë pas vitit 2014.

Hamid Karzai u bëri gjithashtu thirrje vendeve të rajonit për ti dhënë ndihmë shtetit të tij për vendosjen e jetës paqësore, duke theksuar veçanërisht gjatë kësaj rolin e Kinës, Rusisë, Indisë dhe Turqisë.

0Tejet e rëndësishme është ndihma e fqinjëve dhe komunitetit ndërkombëtar në luftën kundër trafikimit të drogës. Gjatë viteve të prezencës së trupave të huaja në Afganistan prodhimi i drogës atje është rritur 40 herë. Kjo çoi në katastrofë të vërtetë humanitare. Në vend evidentohet një papunësi jashtëzakonisht e madhe, e cila krijon kushte të favorshme për prodhimin e drogës. Rusia është shumë e interesuar për bllokimin e trafikimit të drogës. Propozimi i saj i fundit është i tillë: të shfrytëzohen sistemet satelitore kozmike të vëzhgimit për krijimin e kadastrës së plantacioneve të lulekuqes së opiumit në Afganistan, gjë kjo që do të ndihmojë për likuidimin e tyre operativ. Por kjo do të bëhet e mundur vetëm me angazhimin e plotë të të gjitha vendeve të interesuara, të cilat marrin pjesë në procesin afgan. Dhe në këtë sfond është krejtësisht e paqartë pozita e Shteteve të Bashkuara, trupat e të cilave faktikisht injorojnë ekzistencën e plantacioneve të shumta të lulekuqes së opiumit në territorin e Afganistanit.

Aleksandër Vatutin