Në Teatrin “Bolshoi” të Moskës, i cili u hap pas një rikonstruksioni 6-vjeçar më pak se një javë më parë, tashmë që sot, më 2 nëntor, publikut do ti prezantohet premiera e parë e operas “Ruslani dhe Ludmila” e kompozitorit klasik rus të shekullit XIX Mikhail Glinka.

Për rusët kjo, para së gjithash, nuk është opera, por një nga përrallat më të famshme dhe më të dashura për ta. Ajo u shkrua nga Aleksandër Pushkini kur ishte fare i ri, kur nuk konsiderohej ende si poeti kryesor i Rusisë dhe kur mund ti lejonte vetes ngandonjëherë edhe fantazi jo fort të hijshme, bile turpëri poetike. Për shembull, subjekti i përrallës në vargje “Ruslani dhe Ludmila” është ndërtuar mbi bazë të temës së rrëmbimit të nuses gjatë kohës së dasmës. Ndërsa më tej pason udha e gjatë e kërkimit të saj e mbushur plot me aventura, tundime nga më të ndryshmet në rrugën e heronjve kryesorë, me intrigat e keqbërësve, magjistarëve të zinj dhe me triumfin e forcave të mira. Mikhail Glinka shkroi me këtë subjekt një opera mahnitëse, e cila për gjysmë shekulli vetëm në Teatrin “Bolshoi” është shfaqur mbi 1000 herë.

Vënien në skenë të spektaklit të ri e realizuan në bashkautorësi dy maestro me shumë popullaritet në Rusinë bashkëkohore. Regjisori Dimitri Çerniakov, kundërshtar aktiv i rutinës, tashmë ka punuar edhe më parë në Teatrin “Bolshoi” dhe në lidhje me punët e tij kanë plasur jo rrallëherë skandale. Drejtues muzikor i operas është Vladimir Jurovski, dirigjent mysafir i Teatrit “Bolshoi”. Ky tandem është mëse i bindur se opera për kreshnikun rus Ruslan dhe nusen e tij - të bijën e princit (kniazit) Ludmila - ofron mundësi të pakufizuara për fantazi teatrale. Ja se çfarë tha vetë regjisori Dimitri Çerniakov para shfaqjes së premierës:

- Unë mendoj se kjo histori lejon aplikimin gjatë tregimit të saj të llojeve të ndryshme të artit teatral. Ndoshta bile dhe çdo akt në përgjithësi do të jetë krejtësisht divers nga ai paraardhës, sikur ky është një spektakël tjetër. Mund tu them gjithashtu admiruesve të operave pompoze, madhështore në stilin “a la Russe”: ju do të shihni një opera të tillë sot. Në të sigurisht do të ketë frymë përralle, por jo shumë.

Drejtuesi muzikor Vladimir Jurovksi doli përpara premierës me një paralajmërim të tillë:

- Ne kemi vënë në skenë një përrallë për të rritur dhe vende-vende mjaft të frikshme. Prandaj mos i merrni me vete fëmijët në këtë spektakël. Kjo është këshilla ime, këshilla e një njeriut që ka dy fëmijë. Vajzën time 16-vjeçare unë e kam marrë me vete në prova, por fëmijëve nën moshën 16 vjeç unë nuk do t’ua rekomandoja që ta shihnin atë - është vërtetë shumë i frikshëm.

0Megjithëse qarkullojnë fjalë se ekziston edhe një arsye tjetër për të mos e parë fëmijët spektaklin e ri “Ruslani dhe Ludmila” në Teatrin “Bolshoi”. I gjithë problemi konsiston në faktin se në përrallë të gjitha veprimet - të mençura, të pamenduara, fisnike dhe dashakeqe bëhen vetëm në emër të dashurisë. Dhe muzika e  operas, në disa vende, siç thonë sot, është me nuanca, aluzione  seksualiteti. Dhe regjisori i prapë, shpërfillës, arrogant, i prirur për provokacione Dimitri Çerniakov vështirë ta ketë injoruar këtë fakt.

Olga Bugrova