Në Kazan (rajoni i Vollgës) u konstruktua një model pune i motorit unikal raketor me lazer. Me këtë u bë një hap i rëndësishëm në rrugën e krijimit të aparateve kozmike me kosto të ulët të brezit të ri, të cilat nuk përdorin lëndën djegëse konvencionale raketore (karburant-oksidues).

Ideja e përdorimit të lazerit për fluturimet në kozmos daton në fillim të viteve 1970. Atëhere fjalë bëhej ekskluzivisht për motorat tokësorë me lazer, të cilët në atë kohë ishin pajisje voluminoze dhe të rënda që nuk mund të instaloheshin në bordin e aparatit kozmik. Parimi i funksionimit të një motori të këtij tipi është i tillë: një rreze e ngushtë drejtohet nga Toka në aparatin që fluturon në kozmos dhe ngroh në një “dhomë speciale absorbimi” lëndën e punës, domethënë substancën e ngurtë apo gazin, gjë pas së cilës ajo shndërrohet në plazmë dhe del nëpërmjet grykës duke riprodhuar fuqinë tërheqëse reaktive. Në Rusi, SHBA dhe disa vende të tjera janë zhvilluar eksperimente me lloje të ndryshme lazeri. Janë provuar gazra diverse dhe trupa të ngurtë të aftë për avullim.   

Në mijëvjeçarin e ri interesi ndaj motorit me lazer u ripërtëri në Rusi dhe me këtë temë filloi të merret një numër i madh kolektivash. Në modelin e motorit të grupit të shkencëtarëve nga Kazani u shfrytëzua një shkarkesë e vazhdueshme optike nga lazeri, e cila është shumë më e komplikuar të përftohet dhe të mbahet në një pikë të vetme në krahasim me shkarkesën impulsive optike. Kurse rrjedha e gazit të punës argon penetrohet në motor në formë vorbulle të spërdredhur spirale që merr nxehtësinë nga korpusi (trupi). Në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme të rritet temperatura në “dhomën e absorbimit”, meqenëse nga ajo varet shpejtësia e daljes së produkteve të nxehjes nga gryka.

Në qoftë se në vend të gazit argon si lëndë pune do të merret hidrogjeni, atëhere shpejtësia e prodhimit të nxehtësisë do të jetë më e lartë, ndërkohë që hidrogjeni i lehtë zë një pjesë shumë të vogël të masës së gjithë aparatit kozmik. Njëri prej autorëve dhe përpunuesve të idesë së sipërpërmendur Ajdar  Bikmuçev nuk vëren kurrëfarë problemi për sigurimin e energjisë:

- Po zhvillohen eksperimentet për transferimin e energjisë pa përcjellës (wireless). Janë zhvilluar eksperimente të tilla edhe në Stacionin Kozmik Ndërkombëtar - është realizuar transferimi i energjisë në anijen transportuese kozmike “Progress” me rreze lazer. Ajo mund të transmetohet edhe në dhjetëra mijëra kilometra pa kurrëfarë problemi.

0Duke përdorur lazerin me rreze infra të kuqe shkencëtarët nga Kazani përftuan   një fuqi tërheqjeje reaktive me masë rreth gjysmë kilogram. Ajo është e sigurisht e pamjaftueshme për të nxjerrë aparatin kozmik në orbitën përreth Tokës, por mëse e mjaftueshme megjithatë për të riorientuar aparatin që është lëshuar tashmë në kozmos ose për ta drejtuar atë në një orbitë tjetër.

Boris Pavlishiev