Përgjigje adekuate ndaj “Mars-500” - kështu e quajtën disa media eksperimentin nënujor amerikan “NEEMO-15” (NASA Extreme Environment Mission Operations). Ky eksperiment parashikon imitimin e uljes së njerëzve në sipërfaqen e një asteroidi, që konsiderohet si faza e parë e përgatitjes për realizimin e fluturimit të vërtetë.

Eksperimenti rus “Mars-500” përfaqëson në vetvete izolimin afatgjatë të 6 vullnetarëve në një kompartament hermetik të ngjashëm me anije kozmike. Ai imiton fluturimin e pilotuar në Mars, gjatë kohës së të cilit ekipi ndodhet në një kapsulë hermetike nga 520 deri në 700 ditë. Eksperimenti është maksimalisht i afruar me kushtet e fluturimit të vërtetë të pilotuar në Mars me kthimin e mëpastajshëm në Tokë. Në nëntor përfundon etapa 520-ditore e tij: 6 “marsonautët” tashmë “kanë vizituar Planetin e Kuq” dhe janë në rrugën e kthimit, ndodhen ende në “Orbitën e Ulët Tokësore”.

Në eksperimentin rus “Mars-500” po studiohen gjendja psikologjike dhe gjendja shëndetësore e pjesëmarrësve të eksperimentit, ndërsa në atë “NEEMO-15” drejtimi kryesor është ai teknik. 6 prej pjesëmarrësve të tij u vendosën 13 ditë në laboratorin nënujor “Aquarius” (“Ujori”) në një thellësi prej 62 metra në skajin në jugor të Floridas. Ekuipazhi nënujor kryesohet nga 51-vjeçarja Shannon Walker. Në qershor të vitit 2010 ajo fluturoi me anijen kozmike ruse “Sojuz” në Stacionin Kozmik Ndërkombëtar (SKN) dhe kaloi plot 6 muaj në kozmos. Në ekipin e saj hyjnë gjithashtu 3 amerikanë, 1 kanadez dhe 1 japonez.

Me daljet e veta nga “banesa” nënujore “akuanautët” trajnohen për realizimin e uljes dhe arritjen e qëndrimit në sipërfaqen e asteroidit (domethënë në fund të detit) me ndihmën e kavove të çelikut, çengelave dhe spirancave. Me gjithë këtë komplet instrumentesh ata duhet të lëvizin dhe të mbledhin mostra të dheut. I ndihmojnë për arritjen e këtij qëllimi ata motorët reaktivë portativë (jetpack), pa të cilët nuk mund të bëhet kurrsesi në sipërfaqen e asteroidit, ku forca e gravitetit është kaq e dobët saqë nga një shtytje e pakujdesshme me këmbë astronauti do të fluturojë në kozmos.

Po përse NASA po eksperimenton uljen në një asteroid dhe jo në Mars? Fluturimi në një asteroid është shumë më real, tregoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” specialisti i NASA-s John Charles.

- Ne vendosëm për arsye të caktuara të mos kthehemi në Hënë. Përveç asteroidëve nuk ka trupa të tjerë qiellorë ku mund të realizohet ulja dhe të fitohet përvoja për realizimin e ekspeditës në Mars. Një përvojë e tillë nuk mund të merret në orbitën e Ulët të Tokës. Në këtë rast asteroidi shërben si hallkë ideale e ndërmjetme.

Në NASA po e ndjekin me interesim të madh ecurinë e eksperimentit rus “Mars-500”, pohon John Charles. Edhe pse, sipas versionit të NASA-s, fluturimi në Mars do të marrë jo 520 por 1000 ditë.

0- Ndoshta edhe ne do të izolojmë gjithashtu vullnetarë në një kompartament hermetik, vetëm se për plot 1000 ditë. Së paku kjo do të ishte e logjikshme. Vërtetë, Agjencia tani për tani nuk mbart plane të tilla. Ka shumë mundësi që ne të mjaftohemi me eksperimentin e rusëve “Mars-500”.

Boris Pavlishiev