Islamistët tunizianë po festojnë fitoren e vet të parë. Në vend u nxorrën përfundimet e zgjedhjeve në Asamblenë Kushtetuese. Shumicën e vendeve e siguruan në të përfaqësuesit e Partisë “An-Nahda” (“Rilindja”), liderët e së cilës tashmë deklaruan se për ta votoi më shumë se 30% e popullsisë.

Në zgjedhjet e zhvilluara në Tunizi u vu re një pjesëmarrje rekord e popullsisë - 90% e votuesve të regjistruar erdhën në mëngjesin e 23 tetorit në qendrat e votimit me qëllim të dhënies së votës së vet për përbërjen e re të organit kryesor legjislativ të vendit.

Në përbërjen e Asamblesë Kushtetuese të Tunizisë do të punojnë 217 deputetë të zgjedhur vetëm për një vit. Ata do të angazhohen me hartimin e projektit të Kushtetutës së vendit dhe zgjedhjen e qeverisë kalimtare. Pavarësisht nga avantazhi evident i Lëvizjes “An-Nahda” (“Rilindja”), megjithatë asnjë nga partitë nuk mundi ti sigurojë vetes shumicën absolute. Ndërsa kjo do të thotë se përbërja e Asamblesë do të jetë shumë e larmishme dhe se nuk mund të ushqehen shpresa për promovimin sistematik të një programi të vetëm e të paramenduar.

Ekspertët i vlerësojnë me kujdes mjaft të madh rezultatet e zgjedhjeve. Kryesisht për shkak të faktit se shumica e votave u fitua nga partia islamike. Në këtë rast nuk mund të mos kujtojmë ngjarjet e ditëve të fundit në Libi, ku pas vdekjes së Muammar Gaddafi kryengritësit deklaruan se vendi që këtej e tutje do të jetojë sipas ligjeve të Sheriatit. Në Tunizi çdo ditë e më shumë po vijnë duke u përforcuar prirjet radikale fetare dhe nacionaliste. Dhe ekziston frika se tashmë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale mund të dalin në plan të parë jo radikalistët e moderuar të Partisë “An-Nahda” (“Rilindja”), por lëvizje shumë më të papajtueshme dhe madje ekstremiste.

Shembulli i Tunizisë është aktualisht shumë i rëndësishëm për gjithë botën arabe. Pikërisht ky shtet dhe u bë vendlindja e “pranverës arabe”. Në Tunizi në janar të viti 2011 u krye revolucioni që përfundoi me dorëheqjen e Presidentit Zine El Abidine Ben Ali. Pas kësaj vala e trazirave përfshiu shumë vende të botës arabe. Dhe tani në këto shtete po ndjekin me interes të madh zhvillimin e situatës në Tunizi, duke synuar aplikimin e eksperiencës së saj tek vetja, mendon Dekani i Universitetit Davidson Chris Alexander.

0Zgjedhjet e zhvilluara në mënyrë paqësore dhe të ligjshme në Tunizi i treguan edhe një herë botës arabe se pas revolucionit në një vend të vetëm nuk është e thënë që të mbretërojë medoemos kaosi. Situata mund të normalizohet pa ndërhyrje nga jashtë dhe pas diktaturës atje mund të ndërtohet qetësisht demokracia.

Maria Vesnovskaja