Në kryeqytetin rus përfundoi “Java e filmit shqiptar”. Mundësia për të parë filmat e përzgjedhur shqiptarë nga koleksioni i Kinematografisë së Shqipërisë iu dha këto ditë shikuesve të kinemasë që ndodhet në territorin e Qytetit Studenti të Universitetit rus Miqësia e Popujve (RUDN).

Për shtatë ditë, që fluturuan pa u ndjerë fare, u shfaqën në këtë kinema mbi 10 filma artistikë shqiptarë si: “Nëntori i Dytë”, “Skëndërbeu” (“Luftëtari i Madh i Shqipërisë Skëndërbeu”), “Gjeneral Gramafoni”, “Trishtimi i zonjës Shnaider”, “Kolonel bunkeri”, “Parulla” si dhe filmat dokumentarë: “Dashuri në kohë diktaturash” mbi fatin e familjeve të përziera shqiptaro-ruso gjatë viteve të diktaturës në Shqipëri, “Perla e Jugut” mbi bukuritë përrallore natyrore të vendit, “Shqipëria moderne” e disa të tjerë.

Përfundoi “Java” me filmin artistik mjaft interesant për shikuesin rus “Shqiptari”. Në vitin 2010 filmi kushtuar fatit tragjik të një djali 20 vjeçar, që detyrohet të luftojë për lumturinë e vet, u bë një ndër favoritët e Festivalit Kinematografik Ndërkombëtar të Moskës. Atëhere filmi u nderua njëkohësisht me 2 çmime. Një nga këto çmime e meritoi aktori nga Shqipëria Nik Xhelilaj në nominacionin “Aktori më i mirë”.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që filmi “Shqiptari” u shfaq sërish në kryeqytetin rus”, - tha Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Moskë, Zoti Sokol Gjoka:

 

Shkarko audiofailin

“Më gëzon pa masë fakti që shikoj në sallën e kinemasë kaq shumë të rinj e të reja”, - vuri në dukje Zëvendës-presidenti i “Shoqatës ruse të Miqësisë me Shqipërinë” Andrei Nikitin:

0- “Java e filmit shqiptar” doli shumë e suksesshme. Të gjithë filmat ishin vërtet mjaft të denjë, emocionalisht shumë të fuqishëm, tejet impresionues. Ky aktivitet kinematografik u bë edhe një shembull tjetër evident i intensifikimit të ndjeshëm të shkëmbimeve të suksesshme kulturore midis dy vendeve tona. Dhe është mjaft simbolik fakti se shfaqja e filmave u realizua pikërisht në Universitetin e Miqësisë së Popujve (RUDN), në pikën e veçantë, origjinale të bashkimit të popujve në kryeqytetin rus. Tani për tani në universitete të ndryshme të Rusisë vazhdojnë studimet rreth 100 të rinj e të reja shqiptare, por mendoj se numri i tyre mund të ishte edhe më i madh. Që nga fillimi i vitit në Moskë janë zhvilluar disa aktivitete të suksesshme me pjesëmarrjen e grupeve artistike nga Shqipëria. Mjafton të kujtojmë me këtë rast koncertin e këngëtares Ermonela Jaho, që bëri bujë të madhe në kryeqytetin rus. Në aktivitete të tilla vërehet pjesëmarrja e gjerë e të rinjve. Për mendimin tim, prania e tyre është një nga indikatorët kryesorë të faktit se marrëdhëniet tona kanë perspektiva fort të mira”, - u shpreh me bindje të plotë Zëvendës-presidenti i “Shoqatës ruse të Miqësisë me Shqipërinë” Andrei Nikitin.

Maria Papandina