Zëri i Rusisë Europianët i pret një dimër i ashpër me acar këtë vit, paralajmërojnë shkencëtarët britanikë.

Vetëm një javë më parë banorët e Britanisë së Madhe dhe Francës laheshin në det nën rrezet përvëluese të diellit. Në fillim të tetorit temperatura e ajrit arriti deri në + 30 gradë. Por tani gjithkund moti u ftoh shumë në mënyrë krejtësisht të papritur. Në veri të Skocisë para disa ditësh ra dëborë. Bile më tepër se kaq, sipas parashikimeve të meteorologëve britanikë dimri i ardhshëm do të jetë shumë i ftohtë në Evropë. Konkluzionet e tyre bazohen në analizimin e njëkohësishëm të disa faktorëve. Së pari, ata analizuan ndryshimet e temperaturës dhe intensitetin e rrymave në Atlantik. Së dyti, sipas mendimit të shkencëtarëve, fajtor kryesor për motin e pazakontë që po mban tani është Dielli. Ky yll është mjaft stabil, duhet thënë, gjë kjo që mundëson jetën në Tokë. Por intensiteti i ndriçimit të tij ndryshon periodikisht, sqaron bashkëpunëtori shkencor i Institutit rus të Fizikës Sergei Bogaçev:

- Dielli kalon periodikisht nga gjendja e aktivitetit të lartë në atë të ulët. Ekziston cikli bazë - 11 vjeçar, domethënë çdo 11 vjet Dielli bëhet më shumë ose më pak aktiv. Ka cikle edhe më globale - shekullore, mijëvjeçare. Kur minimumet konvergojnë në një pikë, Dielli mund të zhytet atëhere në gjendje depresioni. Këto cikle njihen mirë nga historia. Më i fundit ka ndodhur në periudhën e shekujve XVII-XVIII, kur Dielli për gati 100 vjet ka qenë me aktivitet të shtypur. Në Tokë kjo përkoi me periudhën e vogël akullnajore. Atëhere ka patur korrje shumë të pakta të kulturave buqësore, ra në mënyrë të theksuar temperatura.

Kohët e fundit, thonë specialistët, trupi ndriçues qiellor duke qenë në fazën e aktivitetit të ulët të ciklit të vet 11 vjeçar prodhon më pak rrezatim ultravjollcë. Në shtresat e mesme të atmosferës lindin anomali të ndryshme. Për këtë arsye masat e ftohta të ajrit zhvendosen në drejtim të Arktikut. Si rezultat, depërtimi i rrymës së ujit të ngrohtë në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik reduktohet dhe prandaj temperaturat ditore në gjerësitë veriore në fund të vjeshtës dhe në dimër bien. Kjo, sipas mendimit të një sërë shkencëtarëve, dëshmon për atë se Evropa po hyn sërish në periudhën e vogël akullnajore. Por shkencëtari rus Sergei Bogaçev nuk pajtohet aspak me konkluzione të tilla radikale:

- Në momentet aktuale Dielli nuk ndodhet në gjendje kaq ekstreme. Tani ne po vërejmë daljen e Diellit nga gjendja e minimumit dhe ndodhemi në kurbën e ngjitjes, e cila duhet ta nxjerrë Diellin në maksimum në fund të vitit 2012 - në fillim të vitit 2013.

0Deri në ndryshimin përfundimtar të “gjendjes shpirtërore” të Diellit ka ende shumë kohë. Kurse në vigjilje të dimrit të pritshëm meteorologët britanikë vendosën të ndajnë parashikimet e tyre me autoritetet e qeverisë së vendit, me qëllim që dëbora në tetor të mos bëhet surprizë e pakëndshme për ta e ti gjejë të papërgatitur.

Elena Kovaçiç, Elena Ballaeva