Sheshi i Kuq i Moskës në ditët e para të vjeshtës fton çdo mbrëmje spektatorët për pjesëmarrje në shfaqjen mjaft spektakolare ushtarako-muzikore të Festivalit Ndërkombëtar “Kulla Spasskaja” (31 gusht - 4 shtator).

Dy orë e gjysëm të show të mrekullueshëm të orkestrave frymore ushtarake, në të cilën janë përfshirë 1.500 muzikantë nga 14 vende të botës, kalojnë krejtësisht pa u ndjerë, si i thonë fjalës, sa hap e mbyll sytë.

Orkestra frymore e këmbësorisë italiane luan në vrapim e sipër - kjo është vërtet një gjë fort e vështirë, por mjaft spektakolare duhet thënë. Orkestra e Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës ekzekuton muzikë twist. Orkestra presidenciale e Federatës Ruse “kujton” meloditë e grupit britanik Deep Purple. Orkestra nga Jordania të habit jo vetëm me parakalimin ushtarak, por edhe me instrumentet e veta muzikore: muzikantët arabë mbajnë në duar njëkohësisht me veglat tradicionale edhe gajdet - trashëgiminë e Perandorisë Britanike.

Muzikantët nga Jordania thonë se po debutojnë me kënaqësi të madhe dhe se ndjehen shumë rehat në kryeqytetin rus: ata kishin frikë se në Moskë do të jetë ftohtë, por moti po mban ende i ngrohtë. Ndërsa orkestra e Forcave Ajrore të Greqisë gaboi duke u veshur me uniformë dimërore. Vërtet, kjo nuk i pengon aspak artistët grekë që ta përfundojnë çdo mbrëmje programin e vet me vallen kombëtare plot temperament Sirtaki. Dhe, duhet thënë, se nuk kërcejnë vetëm grekët, por edhe ekipi me shumë kolorit nga Meksika - muzikantët e Orkestrës “Yaguares de la Tamayo”. Ritmet latinoamerikane duartrokiten në mënyrë të tillë nga spektatorët, që mblidhen në Sheshin e Kuq, saqë bëjnë të qartë se presin vazhdimin e tyre. Por disiplina ushtarake është mjaft e rreptë. Çdo pjesëmarrësi të festivalit i është përcaktuar koha e debutimit. Shfaqja, e cila zhvillohet në regjim non-stop, nuk parashikon as ovacione të gjata, as pauza.

Shiko galerinë fotografike

Këtë vit Festivali muzikor “Kulla Spasskaja” ka një shije të veçantë - kafeje, sepse partner i tij u bë Festivali Ndërkombëtar i Kafesë. Drejtori i këtij të fundit Sergei Smirnov tregon:

- Ne kemi ftuar në festivalin në Moskë 7 barista. Këta janë kampionë të botës, njerëzit më të mirë në botën e kafesë. Çdo shikues, që ka ardhur për pjesëmarrje në festival, mund të marrë falas një filxhan kafe nga duart e mjeshtrave të përgatitjes së kafesë.

0Meqë ra fjala, filxhani i kafesë nuk është aspak i thjeshtë: kjo është pije e veçantë, brand i festivalit, i cili, sigurisht, quhet gjithashtu “Kulla Spasskaja”. Ai “I shërben për mrekulli ngritjes së humorit!”, thonë spektatorët që shpërndahen nëpër shtëpitë e veta nën shoqërimin e tingujve finalë të marshit të famshëm rus “Lamtumira e sllaves”.

Tatiana Zaviallova