Më 26 gusht Abkhazia dhe Osetia e Jugut kremtojnë përvjetorin e tretë të pavarësisë në vet. E para e njohu sovranitetin e këtyre republikave Rusia, pas kundërpërgjigjes së ashpër që i dha agresionit të trupave gjeorgjiane kundër Osetisë së Jugut në gusht të vitit 2008. Atëhere, si rezultat i veprimeve ushtarake të Gjeorgjisë, gjetën vdekjen qindra veta dhe u plagosën mijëra të tjerë. Por politika e përdorimit të forcës e ndjekur nga Tbilisi çoi në rezultat krejtësisht të kundërt: në hartën politike të botës u dukën 2 shtete të reja.

Tani gushtin e vitit 2008 shumë analistë politikë e quajnë si lindje të dytë të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Siç kanë theksuar tashmë mëse një herë edhe Presidenti Dimitri Medvediev, edhe udhëheqësit e këtyre dy republikave, 3 vjet më parë Rusia mori nën mbrojtje 2 kombet e vegjël, të cilët Gjeorgjia për gati 2 dekada me radhë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, u përpoq ti asimilojë me forcë dhe i privoi të drejtën për pavarësi.

Presidenti i Osetisë së Jugut Eduard Kokoiti, i cili në vigjilje u takua me Presidentin Dimitri Medvediev, i shprehu atij mirënjohje për vendosmërinë e Rusisë për mbështetjen e vendit të tij në vitin 2008, ndërsa vendimin e udhëheqjes ruse e quajti kurajoz dhe fatpërcaktues për popullin e Osetisë së Jugut. Garanci e sigurisë së 2 republikave u bë vendosja e ushtarakëve rusë në territoret e tyre mbi bazë të marrëveshjeve bilaterale.

Kurse në Abkhazi sot po kremtohet jo vetëm Dita e Pavarësisë, por dhe po zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Ambasadori i Abkhazisë në Rusi Igor Ahba pranon se shpallja e sovranitetit u bë një eveniment i madh politik për banorët e Republikës:

- Ajo konfirmoi të drejtën tonë për të ndërtuar shtetin abkhazian. Njohja e pavarësisë së Abkhazisë është garanci e stabilitetit, paqes dhe sigurisë së popullit të saj. Sigurisht kjo është ditë feste, ngjarje e madhe dhe gëzim i pamatë për njerëzit tanë.

Ndërsa në Gjeorgji, si dhe më parë, nuk mund ta pranojnë dot këtë fakt dhe i përmbahen taktikës së zakonshme të provokimeve. Në ditën e shpalljes së pavarësisë të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut Tbilisi po përgatit njëfarë  “marshim paqeje”. Nën këtë pretekst, si refugjatë që gjoja po kthehen në shtëpitë e tyre, planifikohet të kalojnë kufirin e republikës disa mijëra qytetarë të kombësive të ndryshme të rekrutuar nga Tbilisi. Megjithatë, ushtarakët rusë dhe osetinianojugorë janë të gatshëm për të reaguar ndaj provokimeve të mundshme, njofton nga Chinval (Tskhinval) korrespondeti special i Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Aleksei Çerniçenko:

- Pavarësisht nga hezitimi i Tbilisit për të njohur të drejtën e 2 popujve për pavarësi dhe për të rregulluar të gjitha kontradiktat ekzistuese me mjete diplomatike, as banorët e Osetisë së Jugut, as ata të Abkhazisë nuk refuzojnë dialogun me të. Sepse janë si tepër të forta lidhjet kulturore dhe ekonomike midis popujve fqinjë. Thjesht Gjeorgjisë i duhet të kuptojë më në fund se Suhum (Sukhum) dhe Chinval (Tskhinval) e fituan përfundimisht sovranitetin e vet dhe se 26 gushti është Dita e tyre e Pavarësisë.

Maria Çupina