Sipas të dhënave paraprake të ekspertëve, shkak i rënies së raketëmbajtëses “Sojuz” u bë disfunksionimi në punën e motorit të sistemit shtytës që çoi, si rezultat, në fikjen emergjente të tij. Raketëmbajtësja “Sojuz” me anijen e mallrave “Progress M-12M” startoi nga kozmodromi Bajkonur të mërkurën (më 24 gusht). Për shkak të situatës së jashtëzakonshme që u krijua me raketëmbajtësen, anija “Progress” nuk u arrit të nxirret dot në orbitë. Fragmentet e saj ranë në territorin e Gorni Altai (Siberi). Lëshimet e raketëmbajtëseve “Sojuz” tani për tani janë pezulluar në pritje të sqarimit të shkaqeve të incidentit.

Por Kreu i Agjencisë Federale Kozmike të Rusisë “Roskozmos” Vladimir Popovkin siguroi: Rusia do të përmbushë të gjitha detyrimet e veta për garantimin e funksionimit normal të Stacionit Kozmik Ndërkombëtar (SKN).

Ekuipazhi që ndodhet aktualisht në orbitë e priti me stoicizëm lajmin mbi incidentin e ndodhur. Natyrisht, kozmonautët prisnin nga Toka produkte ushqimore, ujë dhe dhuratat nga të afërmit e tyre. Por kjo humbje nuk do të ketë megjithatë pasoja serioze si për qëndrimin e kozmonautëve e astronautëve në SKN, ashtu dhe për kthimin e tyre në Tokë në kohën e planifikuar, thotë aviatori-kozmonaut Georgi Greçko:

- Për kozmonautët praktikisht nuk do të ndryshojë pothuajse asgjë. Sepse gjithmonë në SKN ka rezerva të mjaftueshme produktesh ushqimore, uji dhe oksigjeni. Pastaj, problemet lindën me raketëmbajtësen. Ndërsa kthimi në Tokë realizohet me anije të pilotuar. Prandaj ky incident nuk përbën kurrfarë rreziku për uljen e tyre në Tokë.

Agjencia ruse “Roskozmos” i siguroi kolegët e vet nga SHBA, Evropa, Kanadaja dhe Japonia se nuk është e nevojshme bërja e korrektimeve në punën e SKN. Anija “Progress” gjatë gjithë 135 fluturimeve të veta të mëparshme nuk i ka lënë kurrë në baltë ata. Me raketëmbajtësen “Sojuz” një incident i ngjashëm me atë aktual ka ndodhur për herë të fundit mbi 30 vjet më parë. Dhe prandaj ai nuk do të ndikojë në kurrfarë mënyre në realizimin e mëtejshëm të programeve kozmike, thekson bashkëpunëtori i Institutit të Studimeve Kozmike Aleksandër Rodin:

- Pavarësisht nga incidenti i tanishëm raketëmbajtësja “Sojuz” vazhdon të mbetet megjithatë mjeti më i sigurt transportues kozmik. Dhe unë mendoj se fluturimet do të rifillojnë së shpejti.

0 Nga ana e vet projektuesja dhe prodhuesja e raketëmbajtëseve “Sojuz” - Byroja e Konstruksionit “Progress” e Samarës - njofton se është e gatshme për të filluar përgatitjen e menjëhershme të lëshimit të ri.

Inessa Frollova