Agjencia Federale Kozmike e Federatës Ruse ndaloi lëshimin e raketëmbajtëseve “Proton” dhe blloqeve të startimit “Briz” deri në momentin e evidentimit të shkaqeve të situatës emergjente që lindi në orbitën e satelitit të komunikimit “Express-AM4”. Ai u lëshua nga kozmodromi Bajkonur më 18 gusht. Probleme me raketëmbajtësen “Proton” nuk pati, por blloku i startimit e nxorri aparatin jo në orbitën e planifikuar.

Me hetimin e shkaqeve të situatës emergjente do të merret komisioni special. “Express-AM4” destinohej të siguronte për 15 vjet komunikimin satelitor në pjesën më të madhe të territorit të Rusisë si dhe vendeve të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (BSHP) dhe Evropës Qendrore.