Kryengritësit libianë arritën të marrin Tripolin. Trupat e Komitetit të Përkohshëm Kombëtar, sipas pohimit të tyre, tashmë kontrollojnë deri në 95% të lagjeve të kryeqytetit të Libisë. Trupat qeveritare po hedhin armët dhe po dorëzohen. Por udhëheqësi i Jamahiriya është zhdukur: sipas disa burimeve ai është fshehur në vendstrehimet e fshehta të rezidencës së vet, kurse sipas disa njoftimeve të tjera është larguar fare me aeroplan nga vendi.

Kryengritësit hynë në Tripoli të dielën. Por ata nuk do të mund t’ia arrinin dot këtij qëllimi pa mbështetjen e aviacionit të NATO-s.

Ndërkohë kryengritësit tashmë ia kanë hyrë punës për vendosjen e rregullave të veta. Sheshit kryesor të Tripolit ata i ndërruan emrin e mëparshëm “i Gjelbër” dhe e quajtën “Sheshi i Martirëve”. Tani atje kundërshtarët e Muammar Gaddafit po festojnë bujshëm fitoren e tyre: djegin flamurët e gjelbër dhe grisin portretet e Kolonel Gaddafit.

Në disa rajone të Tripolit vazhdojnë ende luftimet, megjithëse, siç konfirmojnë kryengritësit, trupat qeveritare po hedhin armët dhe po dorëzohen. Opozitarët libianë tashmë deklaruan se qeveria e tyre do të zhvendoset tani nga Benghazi në Tripoli.

Ndërkohë fati i vetë Muammar Gaddafit mbetet i mbuluar me perde misteri. Në site e botimit britanik “The Guardian” njoftohet, se ai është tani ose në kufirin me Algjerinë, ose tashmë ka hyrë në territorin e saj. Burime të tjera konfirmojnë se Gaddafi është ende në rezidencën e tij në Bab al-Aziz. Ajo u dëmtua rëndë nga bombardimet natoviane, por në dispozicion të tij janë edhe disa bunkerë. Ndërkohë u zunë rob dy djemtë e Muammar Gaddafit. Tani Gjykata Penale (ICC) është në bisedime me opozitën libiane përkatësisht problemit të ekstradimit të njërit prej tyre - Seif al-Islam. Ai akuzohet nga Gjykata për krime kundër njerëzimit. Me sa duket akuza të ngjashme janë ngritur edhe kundër udhëheqësve të tjerë të Libisë, duke përfshirë edhe vetë Muammar Gaddafin.

Po ç’rrjedhë do të marrë zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve pa Gaddafin? Sipas mendimit të ekspertit të Institutit të Analizës dhe Vlerësimeve Strategjike të Rusisë Sergei Demidenko, situata në Libi do të jetë analoge me situatën në Irak në vitin 2003:

0- Atëhere u rrëzua pushteti qendror dhe në vend u krijua edhe vakum ekonomik, edhe vakum politik. Atë u përpoqën ta mbushin me forcat tradicionale politike. Në rastin me Libinë unë parashikoj konfrontimin midis fiseve të vendit dhe aleancave fisnore, të cilat do të fillojnë të ndajnë gjithçka midis tyre: tregun e naftës, të armëve dhe atë të kontrabandës. Dhe për të shtënë në dorë të gjitha këto do të shpërthejë një luftë serioze, do të plasë “lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”. Kurse element destabilizues suplementar do të bëhet, natyrisht, aktiviteti i islamistëve, të cilët kanë në mesin e opozitës një rol me mjaft peshë dhe janë, ndoshta, ndër të paktat, për të në mos thënë e vetmja forcë pak a shumë e organizuar në aspektin politik dhe ushtarak në kampin e opozitës. Nëse kjo do të shumëzohet edhe me prezencën perëndimore në Libi - ekonomike, politike apo ushtarake, atëhere situata do të jetë mjaft e keqe, për të qarë hallin.

Vladimir Fedoruk