Udhëheqësi libian është i sëmurë dhe shprehet i gatshëm ti dorëzojë pushtetin Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Popullor të Drejtësisë Mohammed Al-Kamudi. Për këtë njoftoi një burim anonim në forcat e armatosura të Libisë. Muammar Gaddafi ra dakort gjithashtu për tu vendosur me banim në Venezuelë së bashku me familjen e tij.

Kushtet e Kolonelit për këtë janë: vendosja e menjëhershme e armëpushimit dhe ndalimi imediat i operacionit të NATO-s në vend. Me sa duket nga të gjitha, ai po paketon tani shatorren e vet, në të cilën vendoste rezidencën e tij gjatë udhëtimeve jashtë shtetit.  

Ndërkohë, ish Ambasadori i Rusisë në Libi dhe Tunizi, eksperti i Institutit të Studimeve Orientale të Akademisë së Shkencave të Rusisë Aleksei Podtserob paralajmëron: emigrimi i Gaddafit mund të shndërrohet në një dhimbje koke të re gjatë tentativës për zgjidhjen e problemit të Libisë:

- Largimi i Gaddafit do të thotë kapitullim, vendosje e kontrollit mbi Tripolitania prej të ardhurve nga Serenaika. Me zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve sipas parimit “mjerë të mundurit”. Jo shumë kohë më parë Organizata “Human Rights Watch” në letrën e vet adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së konstatoi, se të ashtuquajturit “luftëtarë të lirisë” ndërmarrin grabitje masive dhe ushtrojnë dhunë barbare ndaj popullsisë lokale në ato fshatra dhe qytete që kanë marrë nën kontrollin e vet, vrasin emigrantët. Të mërkurën në “The New York Times”, botim ky që nuk është aspak simpatizant i Gaddafit, u publikua një pohim analogjik. Rrugëdalja më racionale nga kriza nuk është vetë largimi i Muammar Gaddafit si i tillë, por fillimi i negociatave politike, vendosja e armëpushimit dhe ndalimi i bombardimeve të NATO-s. Po, vërtet, rezultat i procesit negociator mund të bëhet dorëheqja e Muammar Gaddafit në kushte të caktuara. Ndërsa kërkesat e opozitës mbi kapitullimin e tij mund ta fusin situatën në një udhë pa krye.

0Këtë e kuptojnë për mrekulli në Perëndim. Kanali televiziv britanik “Sky News” njoftoi, se në NATO ia kanë shumë frikën “suksesit katastrofik” në Libi - krijimit atje të vakumit politik në rast të rënies së shpejtë të qeverisë së Gaddafit. Disa diplomatë perëndimorë në Benghazi bile e quajnë perspektivën e fitores ushtarake të opozitës libiane në kushtet aktuale “skenarin më të pafavorshëm” të zhvillimit të mëtejshëm të ngjarjeve. Ata tërheqin vemendjen ndaj faktit të mungesës së strukturës organizative në Këshillin Kalimtar Kombëtar, gjë kjo që mund të bëhet terren mjaft pjellor për rritjen e ndikimit të islamistëve.

Konstantin Garibov