Mahmoud Abbas i bëri thirrje Bosnjë dhe Hercegovinës për të mbështetur apelin e tij në OKB në muajin shtator për njohjen e pavarësisë së shtetit të Palestinës. Udhëheqësi palestinez ndodhet aktualisht me një vizitë në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjysma e popullsisë e të cilave është myslimane. Sarajeva nuk ka dhënë deri tani një përgjigje të qartë, të njëkuptimshme.

Udhëheqja palestineze mori vendimin përfundimtar për shpalljen e pavarësisë në mënyrë të njëanshme. Ajo ka ndërmend të kërkojë mbështetjen e OKB-së menjëherë pas hapjes më 20 shtator të sesionit të radhës të Asamblesë së Përgjithshme të saj. Shumica e ekspertëve janë mëse të bindur, se kjo do të varrosë përfundimisht shpresën për rifillimin e negociatave me Izraelin. Por në të vërtetë nuk është aspak kështu, vuri në dukje në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” gazetari palestinez Nazar Aliani:

- Mahmoud Abbas ka deklaruar vazhdimisht se apeli i tij në OKB nuk do të zëvendësojë procesin e negociatave, të cilin palestinezët nuk e refuzojnë aspak. Por ky proces duhet të ketë një bazë, një kornizë të qartë dhe të zhvillohet në mënyrë të drejtë. Domethënë, palestinezët nuk do të pranojnë të negociojnë  përsa kohë që Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuara tokat e tyre dhe ndërton në këto territore vendbanime të reja për izraelitët.

Ndërsa Mahmoud Abbas po zhvillonte të hënën bisedime në Sarajevë, Izraeli deklaroi mbi planet e veta të reja për ndërtimin edhe të gati 200 shtëpive të tjera në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Duhet thënë se kjo u prit me reagim të ashpër si në Palestinë, ashtu dhe në SHBA. Megjithatë, SHBA i bëjnë thirrje Palestinës që jo në mënyrë të njëanshme, por pikërisht në negociatat me Izraelin të zgjidhë problemin që ka të bëjë me shpalljen e pavarësisë. Në përputhje me këtë pozitë dhe do të votojnë SHBA në OKB, nëse do të bëhet sigurisht fjalë për këtë, mendon Vladimir Sotnikov, eksperti i Qendrës së Sigurisë Ndërkombëtare të Institutit të Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Rusisë:

- Amerikanët kanë siluruar vazhdimisht miratimin e çdo rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila të destinohej të mbështeste pavarësinë e Palestinës, duke vendosur veto. Unë besoj se amerikanët do të vendosin përsëri edhe kësaj here një veto të tillë. Sipas mendimit tim, hapat e Administratës Palestineze, për fat të keq, janë të nxituara, ato po ndërmerren jo në kohë të përshtatshme. Sepse, në fakt, ato duhet të jenë rezultat i negociatave të mëtejshme me të gjitha palët e interesuara, para së gjithash, me Izraelin.

0Rusia e mbështet synimin e Palestinës për të apeluar tek OKB-ja me qëllim të njohjes së pavarësisë së shtetit, por palestinezët fillimisht duhet të arrijnë unitetin e brendshëm mes lëvizjeve "Hamas" dhe "Fatah". Aktualisht një unitet i tillë nuk ekziston, gjë kjo që e zhvlerëson aplikimin e Palestinës për anëtarësim në OKB. Vetë aplikimi në OKB do të forcojë pozitat e Palestinës në negociatat me Izraelin, por ai nuk duhet të bëhet kurrsesi zëvendësues i bisedimeve. Përndryshe mbështetja e Palestinës prej Rusisë do të vihet nën pikëpyetje të madhe.

Konstantin Garibov