Komiteti Hetimor i Rusisë i shpalli aktakuzat dy mjekëve në lidhje me çështjen që ka të bëjë me vdekjen e Sergei Margnitskit. Për këtë deklaroi Zëdhënësi i Komitetit Vladimir Markin.

Mjekes laborante të Paraburgimit “Butirka” në Moskë Llarisa Litvinova-s i është paraqitur akuza për shkaktim të vdekjes së Sergei Margnitskit nga pakujdesia. Kurse Zëvendës shefi i Paraburgimit për punën mjekësore trajtuese dhe parandaluese Dimitri Kratov akuzohet për neglizhencë. Ata të dy i kërcënon dënimi me 3-5 vjet heqje lirie. Por faji i tyre duhet ende të provohet, deklaroi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” avokati i familjes së Sergei Magnitskit - Dimitri Haritonov:

- Komiteti Hetimor ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin, i cili thotë se “në qoftë se ka prova të mjaftueshme për shpalljen e aktakuzave, atëhere ato duhet tu paraqiten personave mbi të cilët bie dyshimi. Bashkëshortja e Sergei Magnitskit, interesat e së cilës unë përfaqësoj, është e interesuar që të vihen përpara përgjegjësisë penale pikërisht ata persona që janë me të vërtetë fajtorë të ngjarjes tragjike. Sipas mendimit tim, është fakt krejtësisht evident shkelja nga zyrtarët e burgut e obligimeve të tyre: mosdhënia e ndihmës urgjente të sëmurit, diagnostikimi i gabuar i sëmundjes, lënia pa vëmendje e ankesave tona të shumta.

Duam t’ju kujtojmë se Sergei Magnitskij ka qenë Kreu i Departamentit të Tatimit dhe Auditimit në firmën britanike Firestone Duncan, që i ofronte shërbime juridike Fondit Hermitage Capital Management. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij u akuzuan për përvetësim, me anë të rrugës së mashtrimit me deklaratat tatimore, të shumës prej 5,4 miliardë rubla nga buxheti i shtetit. Në fund të vitit 2008 Sergei Magnitskij u morr nën arrest dhe u vendos fillimisht në qelinë e Paraburgimit “Butirka”, kurse më pas u transferua në “Matroskaja tishina” («Матросская тишина») ku dhe vdiq më 16 nëntor të vitit 2009. Mbrojtësit rusë të të drejtave të njeriut mendojnë se hetimi në fjalë jep shpresë për përmirësimin e kushteve të vetë godinave dhe qelive të paraburgimit.

Për zbardhjen e çështjes që ka të bëjë me vdekjen e Sergei Magnitskij Presidenti Dimitri Medvediev pat urdhëruar që në nëntor të vitit 2009. Presidenti i Rusisë dha urdhër gjithashtu që të verifikohet cilësia e ndihmës mjekësore në burgjet ruse, pushoi nga puna 20 drejtues të lartë të Shërbimit Federal të Burgut dhe 16 drejtorë të burgjeve, midis të cilëve edhe Shefin e objektit të Paraburgimit “Butirka”. Kurse në janar të këtij viti Medvediev nënshkroi ligjin, sipas të cilit të dyshuarit dhe të akuzuarit e sëmurë rëndë mund të lirohen nga paraburgimi.

Anastasia Pershkina