Presidenti Dimitri Medvediev nënshkroi dekretin mbi zbatimin nga Rusia të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1973 për Libinë. Ajo u miratua më 17 mars dhe parashikon, ndër të tjera, shtrëngimin e sanksioneve kundër këtij vendi.

Dekreti, në veçanti, ndalon dhënien e lejeve për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Rusisë gjatë fluturimit të çfarëdolloj aeroplanëve për në Libi. Përjashtim do të bëhet për aeroplanët që realizojnë fluturime me qëllime humanitare.

Përveç kësaj, sipas dekretit në fjalë të Presidentit të Rusisë anijeve ushtarake u lejohet të kryejnë inspektimin në det të hapur të anijeve që lundrojnë për në Libi dhe ato që vijnë nga Libia. Në të njëjtën kohë pala ruse duhet të informohet nëse anija përdoret për transportim personeli apo mallrash për qëllime ushtarake.

Sipas dekretit të Presidentit Dimitri Medvediev, Rusia merr mbi vete angazhimet për vendosjen e një sërë sanksioneve financiare kundër Libisë. Në veçanti, ndalohen operacionet me mjetet financiare dhe asetet financiare të njerëzve të afërt të Muammar Gaddafit, personave të rrethit të tij të ngushtë, personave juridikë libianë. Për fat të keq lufta civile në Libi dhe pasojat e rënda të saj shtynë kohën e plotësimit të një sërë kontratave të mëdha me përfitim të ndërsjelltë me partnerët libianë. Më hollësisht për këtë tregon ish Ambasadori i Federatës Ruse në Libi, bashkëpunëtori shkencor i Institutit të Studimeve Orientale të Akademisë së Shkencave të Rusisë Aleksei Podtserob:

- Pezullimi i bashkëpunimit tekniko-ushtarak me Libinë shkaktoi një dëm që llogaritet në rreth 2 miliardë $. Humbjet e drejtpërdrejta të kompanive tona të naftës dhe kompanisë “Rrugët Hekurudhore të Rusisë”, e cila merrej me ndërtimin e rrugëve në këtë vend arritën në 4 miliardë $. Ndërsa humbjet e gjithë kompanive tona të tjera që punonin në territorin e Libisë përbënë pothuajse 2 miliardë $.  Kështu, duke gjykuar nga njoftimet e mediave ruse, humbjet e Rusisë llogariten në 10 miliardë $.

0Gjatë miratimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së Rusia, Kina, Gjermania, India dhe Brazili abstenuan.  Rezolutën e paraqitën përfaqësuesit e delegacionit të Libanit, Britanisë së Madhe, Francës dhe SHBA. “Pro” saj votuan përfaqësuesit e 10 shteteve që hyjnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Vota “kundër” nuk pati. Rezoluta miratoi vendosjen e zonave të ndaluara për fluturime mbi Libi si dhe rreptësimin e sanksioneve ndaj një sërë zyrtarëve të lartë libianë.

Vladimir Fedoruk