Ekspertët e OKB-së po përgatisin një raport të ri për gjendjen në Siri. Ai do të paraqitet në konsultimet me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të zhvillohen javën e ardhshme. Me qëllim që dokumenti të jetë maksimalisht objektiv, Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë pranë OKB-së Vitali Çurkin i bëri thirrje Damaskut për të siguruar hyrjen pa probleme në vend të përfaqësuesve të OKB-së dhe mediave.

Në prag I Ngarkuari i përkohshëm me punët e këtij vendi në Rusi Sϋleyman Ebu Diyab akuzoi mediat e huaja për shtrembërim të situatës në Siri. Akuzat më të rrepta nga ana e diplomatit iu adresuan Kanalit televiziv satelitor arab “Al Jazeera”. Pikërisht prej tij bota mësoi se javën e kaluar në qytetin Hama me tanke dhe mitrolozë të rëndë u hap zjarr mbi popullsinë civile dhe kundërshtarët e regjimit të Presidentit Bashar al-Assad. Këto ditë atje ka qenë korrespondentja e Kanalit televiziv rus “Russia” Anastasia Popova. Ajo u bë gazetarja e parë ruse që ka qenë në Siri për 5 muaj të protestave anti-qeveritare atje. Në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” ajo tregoi si vijon:

- Njerëzit atje janë disi të tensionuar, kanë frikë të flasin përpara kamerave, veçanërisht në qytete të tilla si Hama. Para së gjithash ata pyesin: nga cili vend kanë ardhur gazetarët? Ata nuk e duan aspak kanalin televiziv satelitor arab “Al Jazeera”, po ashtu si dhe kanalet televizive perëndimore, sepse ndjekin informacionin që jepet prej tyre nëpërmjet Internetit dhe habiten se si e shtrembërojnë ato gjendjen reale. Në veçanti, tregohen po të njëjtat pamje e filmime, vetëm se komentet janë krejtësisht të ndryshme. Shtrembërohet informacioni prej tyre dhe njerëzit e kuptojnë për mrekulli këtë gjë, prandaj  dhe nuk shprehen të gatshëm për të kontaktuar me mjete të tilla informimi masiv. Përveç kësaj, të gjithë janë në merak për shkak të pasojave. Sepse të intervistuarit do ti shfaqin në televizion dhe, ka shumë mundësi, që pas kësaj tek ata të vijnë militantët dhe pasi të mësojnë pozitën e tyre - se mbështesin presidentin dhe reformat - do ti kërcënojnë ata.

Sipas mendimit të një sërë analistëve politikë arabë, Siria u bë objektiv i luftës së ashpër psikologjike që po zhvillojnë kundër saj SHBA me duart e disa vendeve të tjera të rajonit. Në veçanti, analisti libanez, gazetari i njohur Faisal Abdul Sather mendon se deklarata e fundit e Ministrit të Jashtëm të Egjiptit Mohammed Amr u bë nën diktimin e SHBA. Ministri egjiptian i “vizatoi” Sirisë perspektivën ultimative - ose zhvillimi i reformave në Siri, ose ndërhyrja e huaj në vend.

0Në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Kryeredaktori i revistës “Al-Mutauasset” (revistë ruso-arabe kjo që botohet në Moskë) Hussein Nasrallah nuk përjashtoi edhe mundësinë e asaj që tërheqja e ambasadorëve të Arabisë Saudite, Kuvajtit dhe Bahreinit gjatë kësaj jave nga Siria të jetë bërë nën presionin e Uashingtonit.

Konstantin Garibov