Tregjet botërore të aksioneve shënuan një rritje të ndjeshme. Ato i bëri me fletë dhe i stimuloi fort vendimi i Sistemit Federal të Rezervave të SHBA për ta lënë të pandryshuar normën bazë të interesit, të paktën deri në mes të vitit 2013. Por ekspertët janë të prirur të mendojnë se kjo masë shkaktoi vetëm gjallërimin e përkohshëm të ekonomisë. Ruajtja e normës bazë të interesit në nivelin afër zeros do të përshpejtojë inflacionin dhe rrjedhjen, largimin nga vendi të mjeteve financiare për të cilat ka kaq shumë nevojë prodhimi vendas.

Paraja në SHBA vazhdon të mbetet, si dhe më parë, shumë e lirë. Ndërsa siç tregon përvoja, paratë e lira që vijnë nga buxheti bien në duart e atyre që vetë nuk mund të fitojnë, por vetëm shpenzojnë. Kjo nuk e mbështet aspak rritjen ekonomike. Dhe kur paratë janë të lira dhe shtypen lehtësisht, ato në mënyrë të pashmangshme shkojnë atje ku të ardhurat janë më të larta. Kështu ndodhi me Japoninë, thotë Drejtori i kompanisë ruse “Troika-Dialog” Eugjeni Gavrilenko:

- Kompanitë japoneze, kur u ul norma bazë e interesit, pushuan së investuari në ekonominë e tyre dhe filluan ta vendosin prodhimin e vet në vendet aziatike fqinje. Kjo dhe u bë një nga shtytjet, nxitjet fillestare për rritjen ekonomike në gjithë rajonin e Azisë, ndër të tjera edhe në Kinë. Që nga ajo kohë ne nuk vërejmë ndofarë suksesesh të qenësishme në Japoni. Unë mendoj se tendenca të ngjashme do të kenë vend edhe në shtete të tjera të zhvilluara. Paratë e lehta, normat e ulëta të interesit dhe investimet e drejtpërdrejta do të stimulojnë rritjen në pjesën tjetër të botës, por jo në SHBA.

Pavarësisht nga fakti se tavani i borxhit u ngrit me një rezervë të madhe, ulja e klasifikimit (rating) të kreditit të SHBA ndikoi negativisht në çmimin e letrave amerikane me vlerë. Në një situatë të tillë borxhi kombëtar amerikan mund të fillojë të rritet me ritme shumë të shpejta dhe atëhere në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale do të nevojitet një rritje e re e vëllimt të borxhit kombëtar. Një tabllo me ngjyra të zymta “vizaton” Drejtori i Institutit rus të Problemeve të Globalizimit Mihaill Deliagin:

- Në këtë situatë republikanët mund tu thonë demokratëve: na vjen keq, por këmbët duhen shtrirë sipas jorganit. Dhe do të shpallin default teknik. Kjo do të jetë një tronditje jashtëzakonisht serioze për mbarë botën dhe për vetë SHBA. Dhe Barack Obama pas kësaj do të shndërrohet në një analog politik të Mikhail Gorbaçovit.

Si rezultat amerikanët tani mund të bëjnë vetëm një gjë: të ushqejnë në mënyrë të vazhdueshme besimin e botës ndaj dollarit.

0Në situatën aktuale, shkruan botimi “The New York Times”, Sistemi Federal i Rezervave të SHBA vendosi të mos marrë më, në përgjithësi, asnjë masë me qëllim që të mos minojë jo vetëm jashtë shtetit, por edhe në radhët e amerikanëve besimin ndaj ekonomisë së SHBA. Ky vendim është një hap historik dhe efektet, pasojat e tij me preokupim të madh po përpiqen tani ti llogarisin analistët.

Natalia Kovalenko