Kopjet e materialeve të hetimeve ruse të ngjarjeve të gushtit të vitit 2008, kur trupat gjeorgjiane sulmuan Osetinë e Jugut dhe morrën një kundërshtim të vendosur nga ana e Rusisë, janë dërguar tashmë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Për këtë njoftoi Zëdhënësi i Komitetit Hetimor të Rusisë Vladimir Markin. Pala gjeorgjiane nën pretekste të trilluara refuzoi të bashkëpunojë me organet ruse të ruajtjes së rendit me qëllim të evidentimit të së vërtetës. Në këtë mënyrë Moska ndërmorri edhe një hap tjetër për të sjellë përpara gjykatës ndërkombëtare Presidentin Mihaill Saakashvili dhe zyrtarët e tjerë gjeorgjianë, të cilët Kremlini i ngarkon me përgjegjësi për tragjedinë që ndodhi.

Gjatë hetimit specialistët rusë arritën të mbledhin prova të përdorimit nga ana e Gjeorgjisë të llojeve të ndaluara të armëve kundër popullsisë paqësore dhe paqeruajtësve rusë. Në të njëjtën kohë organet hetimore kanë marrë në shqyrtim edhe paditë e qytetarëve të Gjeorgjisë mbi gjoja krimet e kryera prej ushtarakëve rusë. Verifikimi i tyre evidentoi se ato janë të pabaza. Ia vlen të kujtohet në këtë rast, se në prill të vitit 2011 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë refuzoi padinë e ngritur nga Gjeorgjia, në të cilën Rusia akuzohet për diskriminim racor.

Një nga shkaqet e shpërthimit të konfliktit u bë pikësynimi i Gjeorgjisë për partneritet me SHBA dhe BE dhe distancimin nga Rusia në sfondin e deklaratave të hapura për kthimin e territoreve të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë në përbërjen e Gjeorgjisë, mendon analisti politik amerikan, profesori i Institutit Harriman të Universitetit të Columbias Lincoln Mitchell:

- Aktualisht asnjë nga palët nuk ka premisa për të rindezur konfliktin. Gjeorgjia   tashmë pësoi një disfatë. Ndërsa edhe një humbje tjetër ushtarake mund të jetë akoma dhe më serioze për të. Ndërkohë që Rusia doli fitimtare në këtë konflikt dhe ia arriti qëllimit të vet - varrosi njëherë e përgjithmonë shpresat e Gjeorgjisë për anëtarësim në NATO dhe në BE, distancoi akoma dhe më shumë politikisht prej saj Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut. Unë nuk mund të konfirmoj se një konflikt i ri ushtarak është i pamundur, por ai do të jetë krejtësisht i pakuptimtë dhe iracional.

0Shqyrtimi i kërkesës së Rusisë në Hagë do të demonstrojë shkallën e gatishmërisë së Perëndimit për zhvillimin e një hetimi objektiv të ngjarjeve në Osetinë e Jugut. Në të njëjtën kohë fillimi i hetimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do të varet nga disa kushte. Në veçanti, nga përmasat e krimeve të luftës, të cilat mund të konsiderohen si të pamjaftueshme nga Gjykata në Osetinë e Jugut. Ndërsa pengesa kryesore konsiston në faktin, se Rusia nuk ka ratifikuar deri tani Statutin e Romës të vitit 1998, i cili u bë bazë ligjore për themelimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Por Këshilli i Sigurimit i OKB-së ose prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare gëzojnë të drejtën për fillimin e procesin. Në një kohë të afërt do të bëhet e ditur nëse u morr një vendim i tillë apo jo.

Ilia Harllamov