London, Birmingham, Liverpool, Bristol - qytetet më të mëdha të Anglisë - janë shndërruar në zona trazirash e përleshjesh. Atje po u vihet flaka shtëpive dhe automjeteve, banda të rinjsh sulmojnë rajonet e policisë, autobusët me pasagjerë dhe klientët e kafeneve dhe restoranteve, zhveshin njerëzit në rrugë. Policia i shkel ata me thundrat e kuajve, i godet me shkopinj gome, i ndjek dhe i frikëson me qen. Numri i të arrestuarve i tejkaloi tashmë të 400 vetat. Por tani për tani iniciativa është në duart e pogrom-bërësve dhe plaçkitësve. Qeveria, me sa duket nga të gjitha, ndodhet në gjendje shoku, hutimi të plotë.

Kryeministri David Cameron nuk i ndërpreu menjëherë pushimet në Itali dhe u kthye në Londrën e përfshirë nga zjarri dhe përleshjet në rrugë. Ai zhvilloi urgjentisht mbledhjen e organit qeveritar të krizave, të njohur me emrin Cobra. Duke marrë fjalën pas takimit Cameron i premtoi nxitësve të pogromeve e trazirave, se “ata do të ndjejnë mbi vete gjithë forcën e ligjit”. “Në qoftë se juve ju duket vetja se jeni tashmë të rritur për të bërë paudhësi të tilla, atëhere kjo do të thotë se jeni të maturuar edhe për të mbajtur përgjegjësi penale për bëmat tuaja”!

Ministrja e Punëve të Brendshme Theresa May, e cila u kthye e para në postin e vet, të hënën zhvilloi një mbledhje urgjente me udhëheqjen e policisë dhe dha urdhër për ndërmarrjen e veprimeve më të rrepta ndaj rrugaçëve nga ana e ruajtësve të rendit. Mbi të tani po ushtrohet presion me qëllim që të japë urdhër për të vënë në përdorim kundër të rebeluarve topat e ujit. Autoritetet tani për tani i druhen marrjes së një vendimi të tillë, meqenëse ato mund ti akuzojnë për përdorim “jo adekuat” të forcës.

Vëzhguesit venë në dukje se zyrtarët e lartë të policisë, po ashtu si dhe oficerët në rrugë, ndihen tej mase të demoralizuar. Ndër arsyet e kësaj gjendje apatike përmenden edhe shkurtimet e shpenzimeve buxhetore, duke përfshirë dhe mjetet financiare për mbështetjen e forcave të ruajtjes së rendit, edhe dorëheqjet nga postet e veta të disa drejtuesve të Scotland Yard, që dolën të implikuar në skandalin rreth News of the World.

Pasi humbën shpresat për ndihmën nga ana e policisë, qytetarët po e marrin punën e mbrojtjes së pronave të veta dhe garantimit të sigurisë në duart e tyre. Në një nga rajonet e Londrës, të populluar me turq, pronarët e dyqaneve së bashku me gratë dhe fëmijët u armatosën me shkopinj dhe arritën të sprapsin sulmet e vagabondëve të rinj të rebeluar. Disa kafene dhe dyqane vazhduan të punojnë, duke dashur të demostrojnë me këtë se nuk ia kanë aspak frikën pogrom-bërësve dhe se janë të gatshëm ti dalin për zot vetes në këtë situatë.

Banorët e Londrës dhe qyteteve të tjera, që i binden ligjit, vëzhgojnë me tmerr  atë që po ndodh. “Unë vetë jam nga Afrika e Jugut dhe gjithçka që po ndodh tani në Britaninë e Madhe më kujton pogromet e atjeshme, me një ndryshim të vetëm - se policia britanike nuk është aq mizore sa në vendin tim. Por këta njerëz që organizuan pogromet, sigurisht, që nuk kanë kurrfarë respekti as për policinë, as për pronën private. Dhe e gjithë kjo është fort e trishtueshme”, - fjalët e këtij njeriu i citon Agjencia Reuters.

“Mua më duket e pabesueshme gjithçka që po ndodh tani. Është një gjë kaq poshtëruese, kaq e pështirë që të gjithë ata jetojnë këtu!” - shprehet një grua në Londër, të cilën e citon gazeta “The Guardian”.

0Ndërkohë, BBC iu nënshtrua një kritike të ashpër për mosrespektim të “korrektësisë politike”. Në reportazhet e bëra nga rrugët, ku grabitësit dhe zjarrvënësit tërheqin zvarrë kutitë me televizorë dhe atlete të vjedhura në dyqane, BBC i ka quajtur ata “protestues”.

Sergei Berec