Në bursat botërore u shënua një rënie shumë e madhe e çmimeve. Në Azi, Evropë, SHBA - gjithkund ndihet panik dhe evidentohet arratia e investitorëve.

Të enjten bursat e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe demonstruan rënie drastike të vlerës së aksioneve. Në SHBA çmimi i tyre arriti treguesin minimal të vitin 2008. Indeksi brazilian Bovespa ra pothuajse 6%. Bursa e Tokios menjëherë pas hapjes së vet humbi aty për aty deri në 5% të indeksit Nikkei. Në Kinë dhe Hong Kong investitorët po heqin qafe në mënyrë mjaft aktive letrat me vlerë. Një tendencë analogjike po vërehet edhe në MICEX dhe RTS ruse. Mbi temën në fjalë përsiat Drejtori i Departamentit rus të Informacionit Analitik të Agjencisë RBK Aleksandër Jakovliev:

- Në rënien drastike të çmimeve të aksioneve ndikuan një sërë faktorësh. Së pari, le të mos harrojmë se këto dy javët e fundit në gjendje mjaft nervoze e të pushtuara nga ethet e pritjes kanë qenë pa përjashtim të gjitha tregjet botërore të aksioneve. Kjo situatë që u krijua ishte e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me diskutimin e default të mundshëm në SHBA. Dhe, pavarësisht nga fakti se në momentet aktuale puna me këtë histori u ezaurua, probleme mbeten ende shumë. Ato dominojnë tregjet. Me sa duket nga të gjitha, investitorët nuk arritën ti rezistojnë dot këtij presioni dhe e panë të arsyeshme të logjikojnë se situata tani në ekonominë botërore nuk është fort e mirë. Prandaj ne u bëmë dëshmitarë të valës së madhe të shitjeve të aksioneve.

Situata e krijuar me të vërtetë është larg nga ajo ideale. Kriza e borxheve në Evropë, perspektivat e paqarta për politikën financiare të SHBA, rënia e konsumit në gjithë botën - të gjitha këto i shqetësojnë jashtë mase investitorët. Ata preferojnë të mos rrezikojnë dhe të heqin qafe aksionet, e ardhmja e të cilave është krejtësisht e paqartë. E megjithatë, duhet thënë, se këto kohët e fundit mbajtësit e aksioneve kanë mundur të fitojnë para të mira, thotë Aleksandër Jakovliev:

- Në vitet e fundit tregjet kanë patur një rritje mëse të qëndrueshme. Një rritje jo të keqe demonstruan edhe indekset e bursave amerikane të aksioneve: indeksi S & P, indeksi Dow Jones. Çmimet e naftës shënuan rritjen maksimale për periudhën e post krizës. Në përgjithësi, viti i fundit ishte shumë i suksesshëm për lojtarët në rritje.

0E megjithatë, mundësitë e rënies së parrezikshme për ekonominë botërore të çmimeve të aksioneve dhe mallrave (lëndëve të para) nuk janë shterruar ende. Ndoshta tendenca e rënies do të vazhdojë edhe për një farë kohe. Sepse në fund të fundit shkaku kryesor - problemet e borxheve të shumë prej shteteve të rëndësishme - sigurisht që nuk mund të zgjidhen shpejt. Rrjedhimisht, edhe investitorët nuk do të mund ta ndjejnë veten të qetë në një të ardhme të afërt.

Natalia Kovalenko