Në Qendrën e inovacioneve “Skolkovo”, e cila ndodhet në periferitë e Moskës, po zhvillohet mjaft aktivisht cluster i teknologjive biomjekësore. Ai po zhvillon kërkime në katër fusha kryesore: biofarmaceutikë, biomedicinë (në të cilën përfshihet mjekësia bërthamore dhe zhvillimi i pajisjeve të reja të diagnostikimit), sistemi i bioinformatikës dhe bioteknologjitë industriale, tregoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Drejtori administrator i cluster Igor Gorjanin.

Por ndryshe nga, të themi, fizika dhe matematika, në Rusi nuk është dhe aq e fortë shkolla e kërkimeve biomjekësore. Prandaj, në mënyrë që të ngrihet ky drejtim në një nivel sa më të lartë, për Qendrën “Skolkovo” është e nevojshme të bashkëpunojë së më ngushtë me kompanitë perëndimore. Tani për tani lidhjet më të mira janë vendosur me hulumtuesit amerikanë. Evidentohet pjesëmarrja aktive në punën e Qendrës “Skolkovo” e Massachusetts Institute of Technology, Universitetit të Kalifornisë Jugore dhe Universitetit të Harvardit. Së shpejti do të fillojë bashkëpunimi me kompanitë dhe institutet kërkimoro-shkencore të vendeve të tjera, tha Igor Gorjanin:

- Ne tashmë kemi vizituar disa vende evropiane të tilla si Belgjika dhe Italia. Ne do të donim të vendosnim bashkëpunimin me vendet e Azisë Juglindore - Singaporin, Kinën dhe Japoninë.

Këtë vit në kuadër të punës së cluster të teknologjive biomjekësore u nënshkrua një marrëveshje me kompaninë Johnson & Johnson, e cila është e gatshme të investojë mjete të qenësishme financiare në projektet e Qendrës së inovacioneve. Shfaq interesm të gjallë ndaj punës së “Skolkovo” edhe korporata farmaceutike Novartis. Ajo do të dëshironte të merrte pjesë në zhvillimin e biofarmaceutikës në Rusi, kurse në të ardhmen të shfrytëzonte teknologjitë inovative në sferën e zhvillimit të medikamenteve. Duke u marrë me projektet afatgjata shkencore dhe komerciale udhëheqja e cluster të biomjekësisë të Qendrës “Skolkovo” nuk lë jashtë vemendjes edhe problemet e përditshme, të ngutshme të shëndetësisë ruse, shtoi Igor Gorjanin:

0- Unë do të doja të përmendja programin e ritrajnimit të mjekëve.  Më parë ai quhej program i rritjes së kualifikimit. Në Rusi deri tani kjo bëhet në mënyrë spontane dhe të decentralizuar, por ne tashmë filluam punën për krijimin e një qendre që do të merret me rikualifikimin e mjekëve dhe atë e mbështesin partnerët tanë - kompanitë e mëdha farmaceutike.

Maria Vesnovskaja