Rusia fitoi të drejtën për zhvillimin e kërkimeve gjeologjike në Oqeanin Botëror. Organi ndërkombëtar i OKB-së për shtratin detar (International Sea-Bed Authority) miratoi kërkesën e Rusisë për zhvillimin e kërkimeve dhe shfrytëzimin e vendburimeve të metaleve të çmuara në rajonin verior të zonës pranë ekuatoriale të kreshtës Atlantike (Ridge Mid-Atlantik) në Oqeanin Atlantik. Pikërisht atje ndodhen vendburimet më të mëdha nënujore të bakrit dhe arit.

Për herë të parë International Sea-Bed Authority (ISA) lejoi zhvillimin e eksplorimit të vendburimeve të mineraleve të dobishme në sektorët nënujorë të Oqeanit Botëror, që nuk hyjnë në zonën e posaçme ekonomike të ndonjë shteti. Fillimisht u miratua kërkesa e Kinës, e cila pretendonte për zhvillimin e kërkimeve të sulphides polymetallic në pjesë jugperëndimore të Oqeanit Indian. Më pas ISA miratoi kërkesën e Rusisë dhe dy shteteve ishullore të Oqeanit Paqësor - Nauru dhe Tonga.

Interesi i Rusisë ndaj vendburimeve minerare në Oqeanin Atlantik lindi më shumë se 20 vjet më parë. Për shumë vite me radhë atje kanë punuar ekspeditat shkencore ruse, janë zhvilluar studimet e provave të ujit dhe dheut të fundit detar. Më pas ndryshuan rregullat ndërkombëtare të punës në fundin e Oqeanit Botëror. Para angazhimit në hulumtime gjeologjike u bë e nevojshme marrja e sanksionit për këtë nga organi i autorizuar i OKB-së. Rusia ka kaluar tashmë nëpër të gjitha procedurat e domosdoshme dhe më në fund e mori lejen nga ISA. Është bërë e ditur se përmbajtja e arit dhe bakrit në vendburimet nënujore është 5-10 herë më e lartë se e treguesve përkatës në stere, thekson Zëvendës drejtori i Institutit rus të Gjeologjisë dhe Burimeve Minerare të Oqeanit Botëror, Doktori i shkencave të Biologjisë dhe Mineralogjisë Georgi Çerkashov:

- Të dhënat e përftuara prej nesh dëshmojnë se këto vendburime janë jashtëzakonisht të pasura me komponente të tilla si bakër, zink, plumb, ar dhe metale të tjera. Përqendrimi i tyre në këto vendburime është shumë më i lartë se sa në vendburimet kontinentale. Përveç kësaj, ato shtrihen në sipërfaqe të fundit detar, prandaj nuk lind nevoja për heqjen fillestare të shtresave që ndodhen mbi to.

0Natyrisht, jo gjithçka është kaq e lehtë siç do të dukej në vështrim të parë. Së pari, do të duhet të krijohen pajisjet e nevojshme për nxjerrjen e mineraleve në kushtet lokale. Ndërsa ato nuk ekzistojnë tani për tani jo vetëm në Rusi, por edhe në botë në përgjithësi. Do të duhet të përpilohet një program ekologjik. Dhe, sigurisht, të përgatiten specialistët, të cilët pas 15 vjetësh do t’ia hyjnë punës në oqean. Meqë ra fjala, ekspertët janë mëse të bindur, se përgatitja e studentëve - gjeologëve dhe inxhinierëve detarë - është një ndër drejtimet më premtuese në arsimin bashkëkohor. Duke patur parasysh pretendimet e Rusisë në Arktik dhe në Oqeanin Paqësor, në dekadat e ardhshme specialistët e këtyre profileve nuk do të mbeten pa punë.

Inessa Frollova