Në vitin 2009 Barack Obama mori në duar e veta timonin e drejtimit të vendit, i cili në atë kohë ishte përfshirë në dy luftra kohëgjata dhe i mbërthyer nga kriza financiare, dhe premtoi ti zgjidhë këto probleme. Po arriti vallë Obama të plotësojë të paktën një pjesë të premtimeve të veta, të dhëna gjatë fushatës elektorale, në ditën e 50-vjetorit të vet? Kjo është një pyetje që shtrohet sot nga të gjithë analistët.

Politika e jashtme e administratës së Barack Obama-s mund të konsiderohet si më liberale në krahasim me atë të paraardhësit të tij Xhorxh W. Bush. Në veçanti, kjo ka të bënë me marrëdhëniet me Rusinë, të cilat iu nënshtruan “riformatimit”. Në praktikë kjo risi u reflektua, në radhë të parë, në nënshkrimin e Traktatit të ri mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (ASO). Por me këtë traktat jo gjithçka shkon mbarë e mirë. Fjalë bëhet mbi vendosjen në Evropë të elementeve të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraket (MAR), thotë anëtari korrespondent i Akademisë së Shkencave të Rusisë Vilen Ivanov:

- Përsa i përket dialogut, që po zhvillon Obama me Presidentin rus, aparencialisht gjithçka duket plotësisht e hijshme dhe përputhet me rregullat e mirësjelljes. Duke krijuar njëkohësisht njëfarë ndjesie të shfaqjes së luajalitetit (besnikërisë) ndaj Rusisë. Por në të gjitha ato që lidhen me mbrojtjen antiraket Obama nuk bën me këmbëngulje asnjë lëshim real. Si përfundim, bile edhe për jo specialistët është fare e qartë se MAR drejtohet kundër Rusisë dhe jo kundër Iranit, i cili nuk disponon, në përgjithësi, raketa të fuqishme të afta për të krijuar rrezik kërcënues për SHBA. Kjo nuk është gjë tjetër veçse tentativë për të forcuar NATO-n, për të afruar pranë kufijve rusë këtë bllok ushtarak.

Kurse drama kryesore - ajo financiare - erdhi duke marrë vrull pikërisht në përvjetorin e Barack Obama-s. Atë e ndoqën të pushtuara nga ethet e forta të pritjes të gjitha bursat e botës, sepse në fund të fundit shumica e ekonomive globale vazhdojnë të mbeten ende “të lidhura” fort me dollarin e SHBA. Megjithëse mund të konkludohet se kriza e zgjatur financiare, “mëmë” e së cilës ishin po ato Shtete të Bashkuara, përcaktoi gjithë aktivitetin e Presidentit në sferën e ekonomisë, vë në dukje anëtari i Lidhjes Ndërkombëtare të Ekonomistëve Igor Didenko:

- Në parim default i SHBA u arrit të shtyhet. Por problemet në ekonomi janë në rritje e sipër, papunësia në vend mbetet shumë e lartë. Dhe Obama, veçanërisht në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, thjesht është i detyruar që nga njëra anë të premtojë favorizime dhe ulje të taksave, kurse nga ana tjetër të mendojë se si të mbushë arkën e shtetit.

0Por pavarësisht nga të gjitha minuset, shanset e Obamas për tu zgjedhur për një mandat të dytë presidencial janë shumë të mëdha, shprehen analistët. Aktualisht Kreu i Shtëpisë së Bardhë po përballet me një rezistencë mjaft serioze nga ana e opozitës së fortë republikane në Kongres. Por në favor të Obama-s luan tani mungesa në ditën e sotme e një konkurrenti të fortë republikan. Kështu që perspektivat e tij për tu rizgjedhur në postin e presidentit vlerësohet si mjaft optimiste. Happy Birthday, Mister Obama!

Igor Levkov