Avokati i familjes së Sergei Magnitskit komentoi posaçërisht për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” rifillimin e procedurës penale ndaj juristit të Fondit “Hermitage Capital Management”. Duam t’ju kujtojmë se Sergei Magnitski, i akuzuar për krime tatimore, vdiq në burg pa pritur zhvillimin e procesit gjyqësor.

Sipas fjalëve të Dimitri Haritonov, përfaqësuesit të familjes së Magnitskit,  Prokuroria mori automatikisht vendimin për rihapjen e çështjes penale në lidhje me akuzat e ngritura kundër Magnitskit për krijim të skemave kriminale (penale) të evazionit fiskal. Avokati shprehu edhe mendimin e vet në lidhje me rezultatet e mundshme të hetimit:

- Me sa di unë, askush nuk ka apeluar në lidhje me vendimin për pezullimin e çështjes për shkak të vdekjes së Magnitskit. Vetë Prokuroria deklaroi se e bëri këtë në lidhje me faktin se Gjykata Kushtetuese nxorri një dekret, sipas të cilit pezullimi i çështjes për arsye të vdekjes së të akuzuarit është i mundur vetëm me pëlqimin e të afërmve. Ndërsa për mua është krejtësisht e kuptueshme vetëm ajo, se çdo hetim i kësaj çështjeje mund të përfundojë dhe duhet të përfundojë ekskluzivisht me vendimin për pezullimin e saj - për shkak të mungesës së provave.

Ekspertët besojnë se rifillimi i procedurës penale në lidhje me çështjen e Sergei Magnitskit nuk do të jetë kohëgjatë. Në momentin e vdekjes së juristit ajo praktikisht kishte përfunduar dhe ai ishte njohur me materialet. Ja se ç’pret nga hetimi i ri avokati Dimitri Haritonov:

- Unë shpresoj shumë që kjo të jetë e lidhur me zhvillimin e një hetimi objektiv, të ndershëm e të drejtë. Por jam i prirur të mendoj se me këtë rifillim procesi Prokuroria dëshiron të respektojë formalitetet: të thërrasë të afërmit dhe ti pyesë nëse janë dakort ata për pezullimin e çështjes penale në lidhje me vdekjen e të akuzuarit.

0Duam të shtojmë, se tani po sqarohen rrethanet edhe në lidhje me një çështje tjetër të lidhur me emrin e Sergei Magnitskit - ajo ka të bëjë me faktin e vdekjes së tij në qelinë e paraburgimit. Zhvillimin e hetimit të pavarur në lidhje me vdekjen e juristit Presidenti Dimitri Medvediev ia ngarkoi Këshillit Presidencial për të Drejtat e Njeriut. Në fillim të korrikut raporti me konkluzionet e hetimit të mbrojtësve të të drejtave të njeriut iu dorëzua Kryetarit të shtetit.

Maria Çupina