Barack Obama dha një intervistë të zgjeruar për mediat ruse: Agjencinë ITAR-TASS, kanalin televiziv “Russia-24” dhe botimin “Rossijskaja gazeta”. Presidenti i SHBA caktoi vetëm 10 minuta për komunimin me gazetarët, por për këtë kohë ai arriti të tregojë mbi gjendjen aktuale dhe perspektivat e bashkëpunimit ruso-amerikan.

Udhëheqësi i Shteteve të Bashkuara vuri në dukje se gjatë 2 viteve të fundit është arritur të bëhet shumë:

- Unë, në fakt, fillova të flas për “riformatimin” e marrëdhënieve që kur isha ende kandidat për president. Menjëherë pas zgjedhjeve unë iu drejtova Presidentit Dimitri Medvediev dhe, sipas mendimit tim, ne arritëm të vendosim me të një partneritet shumë të suksesshëm në planin e “riformatimit”. Të marrim, për shembull, Traktatin për shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive. Ai nuk do të ishte nënshkruar kurrë sikur të mos ishin vendosur marrëdhënie të mira mes nesh. Ne kemi tani Komisionin e përbashkët presidencial, i cili merret me një rreth të gjerë problemesh. Ne po avancojmë drejt përfundimit sa më të shpejtë të procesit të bashkimit të Rusisë me OBT. Ekziston tashmë “Marrëveshja 123” që bën të mundur bashkëpunimin në sferën bërthamore. Ne zhvillojmë një dialog konstruktiv në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen antiraket.

Barack Obama theksoi në mënyrë të veçantë rolin personal të presidentit dhe kryeministrit rus në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve:

- Unë mendoj se Presidenti Medvediev është patriot i bindur, i përkushtuar. Ai mbron vendosmërisht interesat ruse. Por ai pranon gjithashtu se rruga drejt prosperitetit të Rusisë kalon nëpërmjet bashkëpunimit me botën e jashtme mbi bazë bilaterale dhe multilaterale. Dhe kjo meriton me të vërtetë respekt. Edhe Kryeministri Putin e mbështet plotësisht procesin e “riformatimit”. Si rezultat i gjithë këtyre arritjeve marrëdhëniet tona, për mendimin tim, për këto 2 vitet e fundit janë përmirësuar në mënyrë të qenësishme.

0Nga ana jonë duam të shtojmë, se Barack Obama komunikoi me përfaqësuesit e mas-mediave ruse në vigjilje të një date shumë të rëndësishme për të - të enjten Presidenti amerikan do të kremtojë 50-vjetorin e vet. Gazetarët rusë i dhuruan atij një komplet pullash, të botuara në Rusi me rastin e jubileut të tij, dhe një vulë speciale për vulosjen (shuarjen) e tyre.

Anastasia Pershkina