Vendimet e mundshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë nuk duhet të çojnë në përsëritjen e skenarit libian, deklaroi Kryetari i Departamentit të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut të MPJ të Rusisë Sergei Vershinin. Ai është mëse i bindur, se vendosja e sanksioneve ndaj qeverisë së Bashar Al Assad nuk do të ndihmojë për rregullimin e situatës në vend.

Konsultimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Sirinë po zhvillohen këto ditë në Nju Jork. Po diskutohet në to mundësia e miratimit të rezolutës mbi vendosjen e sanksioneve kundër udhëheqjes siriane. Si shkas për këtë shërbyen ngjarjet e fundit në Hama: në fundjavën e kaluar trupat qeveritare tentuan të çlirojnë qytetin nga forcat e opozitës. Në përleshjet midis palëve kundështare gjetën vdekjen më tepër se 120 veta.

Në Moskë nuk i justifikojnë aspak veprimet e trupave besnike të presidentit sirian. Megjithatë në MPJ të Rusisë theksojnë se Bashar Al Assad i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur opozitës për dialog, por kryengritësit i bëjnë bisht bisedimeve. Pozita e Moskës mbetet e pandryshuar: nuk mund të tolerohet asnjë dhunë si kundër demonstruesve paqësorë, ashtu dhe kundër përfaqësuesve të autoriteteve.

Mbi rrezikun e dukjes së rezolutës për Sirinë, të ngjashme me atë libiane, ka paralajmëruar edhe i Dërguari i posaçëm i presidentit rus për Afrikën Mihaill Margellov. Sipas fjalëve të tij, mbyllja e hapësirës ajrore për fluturime mbi këtë vend do të çojë në shpërthimin e një lufte në shkallë të gjerë. Opozita siriane nuk është krejtësisht laike, edhe pse del nën flamurin e demokratizimit të regjimit. Ndër përkrahësit e saj janë edhe grupimet politike të afërta me shoqatën ndërkombëtare politiko-fetare radikale “Vëllazëria myslimane”. Në një situatë të tillë ndërhyrja ushtarake e Perëndimit në anën e opozitës do të bëhet goditje e drejtuar ndaj forcave demokratike të vendit.

Në NATO tani për tani deklarojnë se nuk janë pjekur kushtet për ndërhyrje ushtarake në Siri. Këto deklarata “aparencialisht paqësore” nuk do të thonë asgjë, shprehet me bindje të plotë Nënpresidenti i Akademisë së problemeve gjeopolitike të Rusisë Vladimir Anohin:

-  Në qoftë se do të gjykojmë nga mënyra se si e përdori NATO rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Libisë, atëhere mund të konkludohet se çdo dokument i miratuar nga Këshilli i Sigurimit do të përdoret po kështu edhe kundër Sirisë. E vetmja rrugëdalje nga situata e krijuar është bllokimi i çdo rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Sirisë. Unë mendoj se Rusia nuk do të jetë e vetmja që do ti përmbahet një pozitë të tillë.

Duam t’ju kujtojmë se Bashar Al Assad që disa muaj më parë, në fillim të konfrontimit me forcat opozitare, deklaroi mbi gatishmërinë e vet për kompromis. Ai anuloi gjendjen e jashtëzakonshme vepruese në vend, që ishte kërkesa kryesore e protestuesve. Në fund të korrikut qeveria e Sirisë miratoi projekt ligjin që lejon sistemin shumëpartiak në vend. U miratua ligji mbi zgjedhjet e përgjithshme: ato duhet të zhvillohen në fund të këtij viti.

0Në Moskë e pranojnë se punën me realizimin e reformave Bashar Al Assad po e zvarrit si tepër. Por megjithatë reformat janë shumë më mirë se sa lufta. Siç ndodhi kjo në Libi.

Igor Levkov