Vetëm 2 javë kanë mbetur deri në përfundimin e ekspeditës së batiskafëve rusë “Mir” në liqenin e Gjenevës. Gjatë 2 muajve me radhë aparatet ruse të thellësive të mëdha janë zhytur në fundin e një prej liqeneve më të mëdha të Evropës Lindore, i cili ndodhet në kufirin e Zvicrës dhe Francës. Detyra kryesore e studimeve është vlerësimi i gjendjes ekologjike të këtij rezervuari natyror.  Dhe aktualisht mund të flitet mbi rezultatet paraprake.

Batiskafët rusë “Mir-1” dhe “Mir-2” u ftuan në liqenin e Gjenevës në kuadër të programit shkencor ndërkombëtar. Në të marrin pjesë hulumtues nga gjashtë vende të botës, duke përfshirë edhe më tepër se 20 specialistë nga Rusia. Rezultatet e studimeve janë mjaft interesante si për autoritetet zvicerane, ashtu dhe ato franceze, meqenëse rreth brigjeve të liqenit të Gjenevës jetojnë pothuajse 1.5 milionë banorë, gjysma e të cilëve marrin nga ai ujin e pijshëm.

Për të kuptuar se si ndikon qytetërimi në këtë rezervuar të madh natyror uji u zhvilluan studime në drejtime të ndryshme - hidrofizikë, gjeofizikë, gjeologji, biologji dhe mikrobiologji, thotë drejtuese i ekspeditës, Hero i Rusisë Anatoli Sagaleviç:

-  Materiale janë mbledhur shumë dhe tani ato po i nënshtrohen përpunimit. Është marrë një numër i madh kampionesh - mostra precipitimesh, uji e kështu me radhë, janë bërë mjaft matje. Konkluzioni i nxjerrë tani për tani është vetëm një - në tërësi situata ekologjike e liqenit rezulton normale. Liqeni po ia del mbanë vetë punës me ato shkelje që bëjnë njerëzit - me mbeturinat që hedhin dhe ndotjet që shkaktojnë.

Aparatet e zhytjeve në thellësi të mëdha “Mir” janë një shpëtim i vërtetë për shkencëtarët. Këta batiskafë lejojnë afrimin maksimal tek objekti i nevojshëm nënujor dhe studimin e detajuar të tij. Përveç kësaj, konstruksioni i tyre krijon mundësinë e vendosjes në bord të një mase të madhe pajisjesh të nevojshme suplementare. Aparaturat për matjen e temperaturës, përçueshmërisë elektrike, shpejtësisë së zërit, sistemet e filtrimit, të cilat pompojnë sasi të mëdha uji për mbledhjen e grimcave të llumit me qëllim të zhvillimit të mëtejshëm të analizave kimike - e gjithë kjo masë e madhe teknike vendoset në bordet e batiskafëve. Me ndihmën e saj specialistët shpresojnë të marrin informacionin e plotë në lidhje me jetën e liqenit të Gjenevës.

0Që në fillim të ekspeditës batiskafët rusë “Mir” përveç studimeve ekologjike, zhvilluan edhe një kompleks kërkimesh arkeologjike. I gjithë problemi konsiston në atë, se në fundin e liqenit të Gjenevës ndodhet anija “Rona”, e cila u fundos në fund të shekullit XIX-të pas përplasjes me një anije tjetër. Batiskafët “Mir” janë zhytur në thellësinë 300 metra, në vendndodhjen e anijes “Rona”, për xhirimin e saj. Mbi bazë të video-filmimit u bë një paqyrë e detajuar e tabllosë së gjendjes aktuale të anijes.

Andrei Smirnov