Situata në Kosovë, ku ndodhën përplasje të armatosura të provokuara nga autoritetet në Prishtinë, vazhdon të mbetet e mbarsur me rrezik shpërthimi. Një deklaratë të tillë bëri në Nju Jork Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç. Ai mbërriti atje me shpresën se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ti verë veshin kërkesës së vendit të tij dhe do të thërrasë mbledhjen e jashtëzakonshme.

Serbia niset në logjikën e veprimeve të veta nga arsyetimi se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë medoemos sa më shpejt që të jetë e mundur me qëllim të shmangies së përsëritjes së dhunës. Por anëtarët e Këshillit të Sigurimit nuk arritën dot të merren vesh për diskutimin e çështjes së Kosovës.

Duam t’ju kujtojmë, se situata në pjesën veriore të Republikës së vetëshpallur të Kosovës, e cila është e populluar kryesisht nga banorët serbë, u acarua në mënyrë të ndjeshme pas tentativës së forcave policore kosovare për marrjen nën kontroll të kufirit administrativ me Serbinë si dhe pikat e atjeshme doganore. U ndërmorr ky operacion me urdhër të Kryeministrit kosovar Hashim Thaçi.

Forcat Ndërkombëtare (KFOR), të cilat kontrollonin pikat doganore në veri, i braktisën ato sapo u bë e ditur mbi fillimin e aksionit policor të Prishtinës. Atje shpërtheu konfrontimi i armatosur, sepse serbët kosovarë nuk kanë ndërmend të humbasin fijet e fundit që i lidhin ata me atdheun e tyre. Sapo situata filloi të dalë jashtë kontrollit të autoriteteve të Kosovës, paqeruajtësit u rikthyen atje.  Tani ata ia atribuojnë ekskluzivisht vetes rregullimin e konfliktit.

Por në realitet çdo gjë ishte krejt ndryshe. Arriti ta ndryshojë rrjedhën tragjike të ngjarjeve mesazhi i Presidentit të Serbisë Boris Tadiç, i cili u bëri thirrje serbëve të mos bëhen pre e provokacioneve.

Për të qenë të drejtë e të paanshëm duhet thënë, se edhe Brukseli, edhe Uashingtoni verbalisht i dënuan veprimet e Hashim Thaçit. Por vëzhguesit venë në dukje se veproi ai pikërisht në përputhje me politikën e tyre, të drejtuar për spostimin gradual të serbëve nga territori i Kosovës. Ja se ç’thotë eksperti rus i Institutit të Studimeve Sllave Georgi Elgenhardt:

- Linja e politikës së tyre konsiston në atë, që të ushtrohet në mënyrë këmbëngulëse, konsekuente presion mbi Beogradin me qëllim që gjithnjë e më shumë sfera politike ti lihen, ti kalojnë Prishtinës. Për shembull, që tani Prishtinës ti dorëzohet kontrolli real ndaj pjesës veriore të Kosovës, të populluar kryesisht nga banorët serbë, e cila deri tani mbetet faktikisht nën kontrollin e Beogradit.

0Ekspertët i vlerësojnë në mënyrë pesimiste perspektivat e zgjidhjes së problemit kosovar. Tani duhet të rifillojnë negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndërsa në kushtet kur autoritetet e Kosovës organizojnë provokacione, mjerisht të gjitha kontaktet reduktohen në zero.

Aleksandër Vatutin