Vapa anomale që është vendosur aktualisht në zonën e Rusisë Qendrore mund të bëhet shkaktare e katastrofave të ndryshme natyrore, paralajmërojnë ekspertët.

Tashmë që prej një muaji shtyllat e zhivës së termometrave nuk bien poshtë nivelit +30 gradë Celsius. Sipas parashikimeve të Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme (MSJ), një sërë rajonesh të vendit ka të ngjarë të përfshihen nga zjarret pyjore dhe zjarret e torfeve.

Përveç zjarreve, vapa e tmerrshme mund të sjellë edhe fatkeqësi të tjera: vdekshmërinë e lartë të njerëzve meteopatë, fikjen e transformatorëve të nënstacioneve dhe disfunksionime në punën e transportit. Disa specialistë konfirmojnë se të gjtiha këto janë pasoja të ngrohjes globale. Kurse njerëzit besimtarë thonë se po afrohet Armagedoni - fundi i botës. Sepse në rajone të ndryshme të planetit janë vënë re vërtet dukuri të papara të motit: në Kamçatkë, në rezervatin natyror Kronotsky po shkrijnë akullnajat, gjë kjo që mund të çojë në ndryshimin e klimës së këtij Gadishulli, kurse në Afrikën e Jugut për herë të parë pas 30 vjetësh në bregdetin e Oqeanit Indian rrugët u veshën me kore akulli. Një vapë e tmerrshme po bën tani në Iran, atje termometri shënon mbi +50 gradë Celsius. Më tepër se 60 persona gjetën vdekjen nga vapa e paparë në SHBA. Ukraina u përfshi nga shirat e rrëmbyeshëm të shoqëruar me stuhi që lanë pa energji elektrike më shumë se 300 pika banimi. Meteorologu rus Leonid Starkov konstaton, se kataklizma natyrore në rajone të ndryshme të botës ka patur dhe do të ketë gjithmonë. Dhe në qoftë se diku bën shumë nxehtë, rajoni fqinj me të mund të përfshihet nga i ftohti anomal:

- Vapa e madhe që është vendosur tani në Rusi, natyrisht, nuk ka të bëjë fare me shkrirjen e akullnajave në Gadishullin e Kamçatkës dhe ftohjen e qenësishme të motit në Afrikën e Jugut. Ajo është e lidhur me ndikimin e anticiklonit bllokues dhe përhapjen e valëve të të nxehtit nga Azia e Vogël. Në qoftë se ne do të shohim rajonet më në lindje dhe më në perëndim të Rusisë, do të vërejmë se atje në verë bën shumë ftohtë. Në veçanti, në Evropën Qendrore, në Republikën Çeke, gjatë 10 ditëve të fundit temperatura ka rënë deri në 0 gradë, ndërsa në disa vende ka bërë bile dhe ngricë.

0Duke iu përgjigjur pyetjes së Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” - Se ç’mot parashikohet në planet në vitet e afërta - Leonid Starkov tha: “Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Klima është e ndikuar nga shumë faktorë, kështu që nuk ka asnjë parashikim të vërtetësishëm, i cili të mund të karakterizojë atë klimë që do të mbizotërojë në Tokë pas 5, 10 e aq më tepër 50 vjetësh”.

Marina Vollkova