MPJ e Federatës Ruse të mërkurën në mbrëmje me gjuhë jashtëzakonisht të rreptë, të paparë kritikoi planet e Departamentit Amerikan të Shtetit për vendosjen e kufizimeve të vizave ndaj një numri të caktuar zyrtarësh rusë, të cilët, gjoja, kanë gisht në vdekjen e Sergei Magnitskit, dhe u kërcënua me marrjen e masave adekuate.

Juristi i kompanisë Hermitage Capital Management Sergei Magnitski vdiq në qendrën e paraburgimit në Moskë. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut deklaruan se fajtorë të vdekjes së tij janë mjekët dhe punonjësit e shërbimit të burgut. Sipas vlerësimeve të aktivistëve të shoqërisë civile, nuk ka patur deri tani një hetim të vërtetë të shkaqeve të vdekjes së tij.

Aktualisht me hetimin rrethanave të vdekjes së Sergei Magnitskit po merret Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili planifikon ta përfundojë atë në gjysmën e dytë të muajit gusht.