Beogradi do të përpiqet të rregullojë konfliktin që lindi në kufirin administrativ të Serbisë dhe Kosovës ekskluzivisht me mjete diplomatike. Për këtë deklaroi Presidenti i Serbisë Boris Tadiç gjatë komentimit të tentativës për marrjen me forcë nën kontroll nga Forcat speciale të policisë së Kosovës të postblloqeve serbe natën në të gdhirë të së martës.

Si shkas formal për acarimin e situatës në rajon shërbyen problemet doganore midis Kosovës dhe Serbisë. Por shumë ekspertë janë të prirur të besojnë megjithatë se në Prishtinë nuk kanë ndërmend të kufizohen vetëm me sulmet e armatosura mbi pikat kufitare serbe. Bile më tepër se kaq, reparti i destinacionit të posaçëm të Polisisë së Kosovës vazhdon të mbetet deri tani në rajonin verior të krahinës, megjithëse në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak bashkëpunëtorë të tij nuk ka më, deklaroi në intervistën ekskluzive dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Lideri i serbëve kosovarë në veri të Kosovës Marko Jakshiç:

- Rreth 10 ushtarakë të forcave kosovare të repartit të destinacionit të posaçëm ndodhen tani në bazën ushtarake të KFOR-it në komunën Leposaviç (në veri të Kosovës). Me këtë forcat ndërkombëtare të udhëhequra nga NATO shkelën parimin e statusit të neutralitetit të vet. Ne këmbëngulim që policët kosovarë të largohen menjëherë nga baza.

Veprimet e Kosovës zyrtare po venë nën një pikëpyetje të madhe dialogun paqësor me Beogradin. Dhe, në radhë të parë, për shkak të mosndëshkimit të Prishtinës, shprehet me bindje të plotë bashkëpunëtorja e Qendrës për Studimin e krizës bashkëkohore ballkanike të Institutit të Studimeve Sllave të Akademisë së Shkencave të Rusisë Anna Filimonova:

- Me sa duket nga të gjitha kosovarët kanë vendosur të përshpejtojnë rrjedhën e ngjarjeve dhe ti japin një pamje krejtësisht të përfunduar shtetit të pavarur të Kosovës. Meqenëse ata arritën lëshime të paprecedentshme nga ana e Serbisë gjatë bisedimeve të fundit mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe në mënyrë fare të qartë forcat shqiptare në Kosovë dhe Metohi po ndjekin tani rrugën e përshkallëzimit të konfliktit, në të cilën ata do ti mbështesë heshturazi KFOR-i.

0Sipas fjalëve të Anna Filimonova-s, Prishtina do të vazhdojë edhe më tej me të gjitha mënyrat të realizojë në jetë projektin e rindarjes së Ballkanit, i cili u konceptua nga SHBA që në fund të viteve 90 të shekullit të kaluar. E ndihmon aktivisht atë në arritjen e qëllimit të vet edhe Bashkimi Evropian, i cili aktualisht dërgon sinjale të qarta, se për anëtarësimin e vet në BE Serbia duhet të njohë ligjërisht pavarësinë e Kosovës. De facto Beogradi tashmë e ka bërë këtë që në fillim të korrikut, duke pranuar, në fakt, legjitimitetin e pasaportave të lëshuara nga Prishtina. Por, me sa duket, kjo iu duk e pamjaftueshme Kosovës. Pikërisht në këtë dhe konsiston rreziku më i madh, meqenëse nuk ka gjasa që tani ekspertët amerikanë të jenë plotësisht të vetëdijshëm për të percetuar gjithë seriozitetin e pasojave të mundshme për paqen dhe stabilitetin në Evropë nga gjithëlejueshmëria që i atribuohet Kosovës.

Elizaveta Isakova